Tahiri kritikon Qeverinë: As nuk e jep Amerika as Gjermania, ne Kosova vendi më i varfër e dhamë rrogën e 13-të dhe mos të bëjmë asgjë për sektorin privat
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me, siç tha ai, mungesën e mbështetjes për punëtorët e sektorit privat, pas vendimit për shpërndarjen e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik. Sipas tij, barra kryesore e financimit të shtetit bie mbi punëtorët e sektorit privat, të…
Lajme
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me, siç tha ai, mungesën e mbështetjes për punëtorët e sektorit privat, pas vendimit për shpërndarjen e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik.
Sipas tij, barra kryesore e financimit të shtetit bie mbi punëtorët e sektorit privat, të cilët, siç u shpreh ai, “mbajnë” ekonominë përmes tatimeve dhe kontributeve të tyre, transmeton lajmi.net.
“65 milionë euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rroga e 13-të, a më tregon ministri i Financave apo cilido ministër çka kanë bërë për punëtorët të cilët ne na japin rrogat, të cilët paguajnë taksat? Çfarë politike qeverisëse kanë bërë për sektorin privat, për atë që është sot në ndërtimtari, për atë zonjën që është ulur sot në arkë, për ata ndërmarrës të vegjël, për ata njerëz që kemi shitoret para banesave tona? A ka ndonjë masë të vetme kjo qeveri, a mendon që edhe ata janë në Kosovë?”, ka deklaruar Tahiri.
Ai shtoi se, sipas tij, vendime të tilla nuk shoqërohen me politika mbështetëse për ekonominë private, duke e cilësuar këtë qasje si të pabalancuar.
“Ua dha rrogën e 13-të, askund në botë, as nuk e jep Amerika as Gjermania, ne Kosova vendi më i varfër e dhamë rrogën e 13-të dhe mos të bëjmë asgjë për sektorin privat, për njerëz që janë në punë dhe mezi e lidhin muajin me muajin”, u shpreh ai./lajmi.net/