Tahiri: BE-ja tha se muri në Mitrovicë do të hiqet, kjo do të ndodh brenda pak ditësh

​Ministrja Edita Tahiri ka folur pas takimit disa orësh me përfaqësues të BE-së, pas situatës së krijuar me ndërtimin e murit në anën veriore të urës së Ibrit.

Lajme

08/12/2016 19:45

Ajo ka thënë se është çështje ditësh kur do të rrënohet ky muri.

Tahiri ka thënë se rezultatet nga takimi ka qenë pozitiv dhe se BE-ja ka thënë se duhet të zbatohet vetëm Marrëveshja për Revitilizim të Urës, duke thënë se duhet prishur ai mur.

“Iu njoftoj se rezultatet janë pozitive. Qëndrimi i BE-së është se marrëveshja duhet të respektohet plotësisht dhe ai mur është ilegal dhe muri duhet të hiqet. Gjithçka do të bëhet në respektim të marrëveshjes”, ka thënë Tahiri për RTK.

Ajo, më tej, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka prezantuar qëndrimin që muri të hiqet menjëherë dhe mos të ketë vonesa.

“Kemi paraqitur qëndrimin e Qeverisë se kjo duhet të largohet dhe të mos ketë vonesa. Muri do të hiqet dhe ura dhe ajo pjesa do të jetë e hapur për lëvizje të lirë. Siç e dini BE është e autorizuar për urën dhe kompania e kontraktuar nga BE e cila do të merret me këtë sepse ajo sigurisht që është ndërtuar nga strukturat ilegale”, ka përfunduar Tahiri. /Lajmi.net/