Tahiri flet për misionin e EULEX-it në Kosovë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka theksuar se puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), ka qenë më shumë publicitet se sa punë reale.

Lajme

08/05/2018 21:30

(I plotësuar 21:30) – Ai ka thënë se pritjet e qytetarëve karshi këtij misioni kanë qenë të larta, ku sipas tij, është pritur që të ketë një lloj mrekullie në këtë drejtim, por që në fund nuk dilte asgjë.

“Ne duhet ti falënderojmë ata që ishin këtu dhe shpenzimet që i kanë pasur, rreth 1 miliardë euro para të taksapaguesve evropianë. Konsideroj se është krijuar një momentum i ri për institucionet e Kosovës dhe agjencitë ligj-zbatuese që të menaxhohet nga vendorët”, ka shtuar Tahiri.

Ministri Tahiri për aktakuzat e para nga Specialja: Nuk do jenë vite të lehta për Kosovën

(21:02)- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se janë gati për fillimin e punës së Dhomave të Specializuara, tani thotë se janë duke definuar çështjet e fundit.

Tahiri ka thënë se së pari do të krijohet një ekip që do të jetë bashkëpunim me Dhomat e Specializuara të Gjykatës me institucionet e Kosovës dhe do të kryhen të gjitha zotimet që i ka bërë Kosova për këtë çështje, transmeton lajmi.net.

Ministri i Drejtësisë ka thënë se Kosova nuk ka nevojë që të asistohet nga askush për t’i arrestuar ata që do të gjykohen nga Gjykata Speciale, pasi do t’i kryejnë institucionet e vendit.

“Neve nuk na duhet asnjë asistim, i kemi institucionet tona do t’i kryejmë zotimet tona. Ashtu siç jemi zotuar që nga fillimi me themelimin e Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.

Tahiri ka folur edhe për aktakuzat e para nga Specialja, ku ka thënë se ky vit nuk do të jetë aspak i lehët për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi do të jetën në qendër të vëmendjes së botës.

“Nuk do të jenë vite të lehta për Kosovën, do të jemi në qendër të vëmendjes në mediat ndërkombëtare, të botës, për krime lufte si Republikë e re”, ka thënë ai në TV Dukagjini. /Lajmi.net/