Tahiri: Fermerët e qumështit kanë kërkesa të drejta, por protestuan në adresën e gabuar
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, ka deklaruar se kërkesat e prodhuesve të qumështit dhe fermerëve të tjerë janë të arsyeshme, por sipas tij, protesta e fundit para Ministrisë së Bujqësisë e ka pasur adresën e gabuar. Tahiri ka thënë se fermerët kanë protestuar për problemin e krijuar mes përpunuesit të qumështit, kompanisë…
Lajme
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, ka deklaruar se kërkesat e prodhuesve të qumështit dhe fermerëve të tjerë janë të arsyeshme, por sipas tij, protesta e fundit para Ministrisë së Bujqësisë e ka pasur adresën e gabuar.
Tahiri ka thënë se fermerët kanë protestuar për problemin e krijuar mes përpunuesit të qumështit, kompanisë “Vita”, dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), pas kontrollit të zhvilluar nga ky institucion në këtë kompani.
“Ne si Federatë e Sindikatave të Bujqve, kërkesa e prodhuesve të qumështit edhe fermerëve të tjerë i shohim të arsyeshme, por kësaj radhe mendoj se e kanë adresën e gabuar. Ata kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë për problemin që u shkaktua me përpunuesit e qumështit me kompaninë “Vita”, që kanë pasur një kontrollim prej AUV-it”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, bazuar në informacionet që kanë pasur, AUV-i ka ndërhyrë pas dyshimeve për probleme në procesin e prodhimit të qumështit.
“Në bazë të informacioneve, në bazë të gjitha intencave të ndryshme, kanë dyshuar se ka diçka keqpërdorime në prodhimtarinë e qumështit dhe kanë ndërhyrë. Neve, pasi që u bë mediatike ai problemi, gjegjësisht u problematizua ndërhyrja e AUV-it në kompaninë “Vita”, neve shkuam në ministri, gjegjësisht kërkuam te ministri me u takuar edhe me u sqaruar çka është problemi”, ka deklaruar ai.Tahiri ka bërë të ditur se ministri u ka ofruar sqarime lidhur me rastin, duke theksuar se AUV-i kishte pranuar informacione për probleme në prodhimtarinë e kompanisë.“Ministri na i dha të gjitha informacionet. Thotë: ‘AUV-i ka pasur informacione se ka në prodhimtari, ka defekte aty’. Mirëpo, ai problemi kryesor për ministrin ishte furnizimi me qumësht pluhur në periudhën kur e kanë pasur të ndaluar”, është shprehur Tahiri, për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se periudha e hiperprodhimtarisë së qumështit është nga mesi i muajit maj deri nga mesi i muajit korrik, ku sipas tij, ka pasur një marrëveshje apo urdhër institucional që në këtë periudhë të mos grumbullohet dhe të mos merret qumësht pluhur.
“Kjo periudha e hiperprodhimit, do të thotë periudha e hiperprodhimtarisë së qumështit, është diku prej gjysmës së majit edhe deri diku nga gjysma e korrikut. Dhe ka qenë një marrëveshje apo një urdhër i institucioneve që në këtë periudhë mos me grumbulluar, mos me marrë qumësht pluhur sepse ajo përdorimi i qumështit pluhur po bën njëfarë konkurrence tek prodhuesit e qumështit”, ka thënë ai.Sipas tij, përdorimi i qumështit pluhur nga përpunuesit po dëmton prodhuesit vendorë, pasi përpunuesit e kanë më të leverdishme ekonomikisht.“Do të thotë, vlen me u marrë atyre në tërësinë e qumështit, ata po marrin qumësht pluhur sepse leverdia e tyre e përpunuesve është shumë më e madhe me marrë, sepse me siguri po e sigurojnë me çmime më të ulëta. Është shumë më e leverdishme sesa me grumbulluar sasinë e qumështit”, ka deklaruar Tahiri.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve ka thënë se për disa muaj fermerët janë ankuar për problemet që kanë me përpunuesit e qumështit, duke përfshirë mosgrumbullimin e të gjithë sasisë së qumështit dhe uljen e çmimeve.
“Ka nja dy-tre muaj ditë që prodhuesit e qumështit, fermerët, te ne si sindikatë janë ankuar se përpunuesit e qumështit po manipulojnë me obligimet që i kanë për me ua grumbulluar. Shpeshherë nuk ia marrin tërë sasinë e qumështit dhe shpeshherë ndikojnë, gjegjësisht ua kushtëzojnë, ua ulin çmimet, krejt në varësi prej leverdisë së tyre”, ka thënë ai.
Tahiri ka theksuar se sipas tij, problemet e fermerëve nuk po marrin vëmendjen e duhur nga përpunuesit e qumështit.
“Kurse problemin e fermerëve, sipas neve dhe sipas fermerëve, nuk po i intereson kushedi sa. Normal që çdokush kush punon dhe kush prodhon, gjithkush punon për fitime. Mirëpo, fitimi kryesor, baza kryesore për fitimin e tyre është prodhuesi vendor i qumështit, fermerët, të cilët ballafaqohen edhe me shumë telashe të tjera”, ka thënë ai.Ai ka përsëritur se fermerët që protestuan para Ministrisë së Bujqësisë do të duhej ta adresonin protestën e tyre te kompania “Vita” ose para AUV-it, nëse konsiderojnë se ky institucion ka gabuar.“Prandaj, këta fermerët, unë i konsideroj ata fermerë të cilët atë ditë kanë dalë në protestë para Ministrisë së Bujqësisë, e kanë pasur adresën e gabuar. Ata është dashur të protestojnë pikërisht para kompanisë Vita, sepse ajo është kompania kryesore dhe ka edhe përpunues të tjerë të qumështit të cilët iu krijojnë probleme, por problemet më të mëdha i krijon kompania “Vita”, e cila iu shkon në dëm fermerëve”, ka deklaruar Tahiri.“Ata është dashur atje me shku ose para AUV-it, nëse AUV-i ka pasur faj. Po AUV-i është institucion i joni që ka të drejtë çdo kompani me kontrolluar, çdo ndërmarrje, çdo, se AUV-i është i formuar për me mbrojtur prodhimtarinë, gjegjësisht ushqimin për konsumatorë”, ka shtuar ai.Tahiri ka thënë se kompanitë duhet të respektojnë rregullat dhe ligjet e institucioneve shtetërore, pasi janë të regjistruara dhe veprojnë sipas këtyre rregullave.
“Dhe ajo ka qenë një hap i cili nuk ka të drejtë askush me reaguar edhe me kundërshtuar hapat e tij, sepse çdo kompani është e regjistruar pranë institucioneve përkatëse të shtetit, e cila i ka pranuar rregullat, ligjet të cilat mundet me vepruar edhe me prodhuar”, ka deklaruar ai.Në fund, Tahiri ka thënë se sipas tij, kompania “Vita” ka manipuluar me fermerët dhe i ka bërë thirrje atyre që të presin përfundimin e analizave dhe procedurave të kontrollit.“Në këtë rast, konsideroj se kompania ka manipuluar me fermerë dhe unë i ftoj fermerët që ata të kenë durim sepse është e thënë me i pritur rezultatin e analizave dhe ndërhyrjes me parë se çka ka aty, çka me çka ballafaqohet ajo kompani dhe ku është shkaku që ata po krijojnë probleme me rastin e grumbullimit të qumështit”, ka përfunduar Tahiri.