Tahiri: Është e qartë: problemi i Kosovës ka emër dhe mbiemër – Albin Kurti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e quajtur këtë “plaga më e madhe” që i është shkaktuar ndonjëherë shtetit të Kosovës. Tahiri ka vënë në dukje se sanksionet e mëhershme nga Bashkimi Evropian,…

Lajme

12/09/2025 14:58

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e quajtur këtë “plaga më e madhe” që i është shkaktuar ndonjëherë shtetit të Kosovës.

Tahiri ka vënë në dukje se sanksionet e mëhershme nga Bashkimi Evropian, që kanë bllokuar qasjen e Kosovës në rreth 600 milionë euro, ishin një goditje serioze, por sipas tij, veprimi i SHBA-së e tejkalon çdo përmasë të dëmshme për vendin, transmeton lajmi.net.

“Deri sot, veprimi që e ka goditur më së shumti Republikën e Kosovës kanë qenë sanksionet e BE-së, të cilat na kanë pamundësuar shfrytëzimin e 600 milionë eurove. Por vendimi i Qeverisë Amerikane për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën e tejkalon përmasën e atij dëmi,” ka shkruar ai.

Sipas Tahirit, emri i problemit është i qartë: Albin Kurti, të cilin e akuzon për thellimin e izolimit ndërkombëtar të vendit dhe dëmtimin e partneritetit me aleatin më të madh – SHBA-në.

“Sot, Albin Kurti i shkaktoi Kosovës plagën më të madhe që dikush ka mundur ta paramendojë. Është e qartë: problemi i Kosovës ka emër dhe mbiemër – Albin Kurti,” shkruan ai.

Duke folur në emër të PDK-së, Tahiri thekson se opozita është e vetëdijshme për përgjegjësinë që i takon në këtë moment, dhe angazhohet për një alternativë qeverisëse që do ta nxjerrë vendin nga kjo krizë institucionale dhe ndërkombëtare.

“Si PDK, e kemi të qartë përgjegjësinë tonë. Do të angazhohemi që vendit t’i japim një qeveri që do ta nxjerrë nga kjo krizë.”./lajmi.net/