Tahiri: Byroja Shtetërore të mos shndërrohet në instrument partiak – kërkon respektim të Kushtetutës dhe transparencë të plotë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke ngritur një sërë shqetësimesh që, sipas tij, lidhen me kushtetutshmërinë dhe standardet ligjore. Tahiri thekson se projektligji nuk i është nënshtruar konsultimit publik,…

Lajme

14/04/2026 10:35

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke ngritur një sërë shqetësimesh që, sipas tij, lidhen me kushtetutshmërinë dhe standardet ligjore.

Tahiri thekson se projektligji nuk i është nënshtruar konsultimit publik, duke e cilësuar këtë si shkelje procedurale dhe mungesë transparence në procesin e hartimit të ligjeve.

Ai gjithashtu kritikon faktin që Byrosë dhe drejtorit të saj i jepet kompetenca për rregullimin e procedurave përmes akteve nënligjore, gjë që sipas tij bie ndesh me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi këto çështje duhet të përcaktohen qartë në ligj.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Tahiri është parashikimi i retroaktivitetit në projektligj, të cilin ai e konsideron të dëmshëm për sigurinë juridike dhe në kundërshtim me kornizën ligjore në fuqi.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Tahiri thekson se Byroja nuk duhet të shndërrohet në një “tigër prej letre” apo instrument politik, por në një institucion funksional në shërbim të drejtësisë dhe qytetarëve.

“Sot është një parti në pushtet, nesër mund të jetë një tjetër; institucionet duhet të jenë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, jo të subjekteve politike”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/