Tadiq flet për ambiciet luftarake të Daçiqit rreth Kosovës

Ish-lideri i Partisë Demokratike të Serbisë (DS) dhe ish-president i Serbisë, Boris Tadiq, në një ligjëratë para disa studentëve në Beograd, ka thënë se ka pasur probleme me ish-partnerin e tij politik, Ivica Daçiq, pos shumë çështjeve tjera, edhe për atë se Daçiq ka dashur të hyjë në luftë për Kosovën.

Lajme

22/03/2015 11:16

Duke iu referuar kohës së mandatit të tij, Tadiqi tregoi edhe për atë se çfarë marrëdhënie ka pasur me kreun e socialistëve, Daçiq, i cili ishte partneri i tij në qeveri.

“Raporti im me parlamentin ka qenë i çuditshëm dhe i rëndë. E kam pasur Ivica Daçiqin, i cili nuk e ka përjashtuar luftën si opsion, dhe disa herë i kam thënë që të mos e bëjë një gjë të tillë. Në anën tjetër, e kam pasur Koshtunicën i cili, bashkë me përfaqësuesit e Kishës, ka qenë i brengosur për Kosovën”, ka thënë Tadiq.

Ndërkaq, ndaj kësaj deklarate nuk ka qëndruar indiferent Daçiqi, duke thënë se Serbia nuk ka mundur që të rrijë e qetë e të shikonte se si sulmoheshin serbët në veri të Kosovës.