Ta mbyllim reformën zgjedhore

Kryeministri Hashim Thaçi shpreson që reforma zgjedhore në Kosovë do të mbyllet në fillim të vitit 2014. Ai sërish shprehu gatishmërinë për t’u takuar me Kryetarët serbë të Komunave, të zgjedhur nga “Lista Serbe”.

Lajme

11/12/2013 12:25

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shpreson që reforma zgjedhore e nisur në Kosovë do të përmbyllet deri në fillim të vitit të ardhshëm, me konsensus të të gjithë spektrit politik të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, shefi i ekzekutivit ka folur për reformën zgjedhore, për të cilën ka thënë se do të kryhet me kohë, në mënyrë që t’i jepet hapësirë e mjaftueshme KQZ’së që t’i përgatisë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që pritet të mbahen në vjeshtë të vitit të ardhshëm.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë të gjithë pa dallim  si spektër politik me mbështetje të plotë të Kuvendit të Kosovës, Presidentes, për përmbylljen e reformës zgjedhore”, ka thënë Hashim Thaçi.

“Zgjedhjet  lokale ishin jashtëzakonisht mirë të organizuara, me standard shumë të lartë. Unë kam besim shumë të plotë se me përmbylljen  me sukses të plotë të reformës zgjedhore, zgjedhjet e përgjithshme  2014 do të jenë të një standardi edhe më të lartë”.

“I gjithë spektri politik do të punojmë që edhe ky kapitull të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur”.

“Qeveria e Kosovës, por edhe si spektër politik, si partnerë të koalicionit që jemi këtu, do ta japim mbështetjen e plotë që reforma zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme 2014 të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm që t’i kemi përgatitjet e mira profesionale që KQZ të ketë kohë dhe prezencen dhe mbështetjen ndërkombëtare.”

“Jam optimist që ky proces do të përmbyllet me kohë dhe mirë me një koncensus të spektrit politik kosovar”.

Kryeministri edhe një herë ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u takuar me Kryetarët serbë e Komunave të Kosovës, shumica dërmuese e të cilëve vijnë nga “Lista Serbe” e mbështetur nga Qeveria e Serbisë.

“Ishte një  sukses jashtëzakonisht i madh përmbyllja e procesit të zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës ku u zgjodhën liderët e gjitha komunave dhe gjithë liderëve edhe në katër komunat e Mitrovicës”.

“Unë  shpresoj që në të ardhmen e afër të takohem me ta dhe të bisedojmë për mundësitë që Qeveria e Kosovës ka për tu ndihmuar, për të qenë sa më afër, për të investuar në projekte të rëndësishme për ndërrimin e gjendjes për të mirë në atë pjesë të Kosovës për të ndryshuar jetën e qytetarëve për të mirë atje në mënyrë që të koordinohemi si qeveri e Republikës së Kosovës në institucionet legale dhe legjitime lokale”, ka thënë Kryeministri Thaçi.