Syla: Nëse opozita bojkoton edhe nesër, bëhet hisedare në zvarritjen e procesit
Ish-diplomati Donat Syla ka vlerësuar se situata e krijuar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës po shkon drejt një ngërçi artificial, që sipas tij, po shkaktohet qëllimisht. “Ka një lloj përpjekje, ky është dyshimi im, që duke u përpjekur që të krijohet një lloj ngërçi artificial të tentohet edhe të shtyhet dhe…

Lajme
Ish-diplomati Donat Syla ka vlerësuar se situata e krijuar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës po shkon drejt një ngërçi artificial, që sipas tij, po shkaktohet qëllimisht.
“Ka një lloj përpjekje, ky është dyshimi im, që duke u përpjekur që të krijohet një lloj ngërçi artificial të tentohet edhe të shtyhet dhe të mos paraqiten në seancë disa prej deputetëve”, ka deklaruar Syla.
Ai ka kërkuar që opozita të jetë e pranishme në seancën e nesërme dhe të votojë pro verifikimit të mandateve të deputetëve, duke e cilësuar mungesën e tyre si të pajustifikueshme.
“Opozita duhet detyrimisht të jetë e gjitha prezentë në sallën e Kuvendit dhe duhet të votojë e gjitha pro verifikimit të mandateve. Ishim dëshmitarë që në mbledhjen e kaluar kishim vetëm 52 vota pro. Kjo pjesë duhet të përmbyllet”, ka theksuar Syla në Dukagjin.
Ai ka potencuar se edhe kryesuesi i seancës nuk duhet të jetë pengesë apo faktor që zvarrit proceset, pasi që – sipas tij – qëllimi i zgjedhjeve është pikërisht formimi i institucioneve.
“Kryetari i Kuvendit nuk do të duhej të ishte pengesë dhe të ishte shkak për të zvarritur proceset, sepse zgjedhjet mbahen për të formuar qeverinë – ai është akti suprem”, ka shtuar ai.
Syla paralajmëroi se nëse opozita vazhdon me bojkot si në seancën e djeshme, atëherë ajo po bëhet bashkëpërgjegjëse për gjendjen e krijuar.
“Veprimi i tyre është i pajustifikueshëm. Po bëhen si hisedarë të kësaj situate pa krye. Ka përpjekje të partisë në pushtet për të bërë votat”, ka deklaruar ai.