Syla: Është rritur numri i kafshimeve nga qentë endacak tek QKUK-ja
Përkundër premtimeve e investimeve miliona euro tash e disa vjet për eliminimin e qenve endacakë, ata vazhdojnë të paraqesin problem për qytetarët. Në hapësirat publike, në të cilat qarkullojnë mijëra persona brenda ditës, qentë endacakë vazhdojnë të ndjellin frikë tek qytetarët. Këta të fundit ankohen për sulmet nga qentë, derisa planet për largimin e tyre,…
Lajme
Përkundër premtimeve e investimeve miliona euro tash e disa vjet për eliminimin e qenve endacakë, ata vazhdojnë të paraqesin problem për qytetarët. Në hapësirat publike, në të cilat qarkullojnë mijëra persona brenda ditës, qentë endacakë vazhdojnë të ndjellin frikë tek qytetarët. Këta të fundit ankohen për sulmet nga qentë, derisa planet për largimin e tyre, duket se nuk po kanë edhe aq sukses.
E Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thekson rëndësinë e rritjes së numrit të inspektorëve veterinarë dhe kritikon autoritetet lokale për menaxhimin e dobët të situatës me këtë lloj të kafshës.
Vetëm nga janari deri në fillim të muajit tetor, rreth 130 qytetarë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga kafshimi i qenve endacakë.
Qytetari Xhemajl Dakaj derisa tregon rastin se si i janë vërsulur qentë, potencon se nuk është realizuar premtimi për largimin e tyre.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla potencon se numri i sulmeve nga qentë ka shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar. Ai shton se një numër i konsiderueshëm i rasteve që janë kafshuar nga qentë pa pronar, janë staf shëndetësor.
“Është rritur numri, kohëve të fundit është rritur shumë i pacientëve që kanë kërkuar trajtim këtu tek ne nga sulmi apo kafshimi prej qenve. Deri javën e kaluar që i kemi nxjerrë statistikat janë evidentuar 127 raste prej 1 janarit deri në javën e fundit. Statistikat e fundit janë nxjerrë të premten e kaluar (11 tetor). Por, për fat të mirë, prej këtyre 127 këtë vit, vetëm një ka përfunduar në spital për trajtim më të gjatë. Kurse të tjerët të gjithë janë trajtuar këtu tek ne në qendrën emergjente dhe kanë shkuar në shtëpi pas terapisë së marrë… Vitin e kaluar kanë qenë 86 raste. Një numër i madh (i të sulmuarve nga qentë) kanë qenë profesionistë shëndetësorë edhe vitin e kaluar ka pasur profesionistë shëndetësorë”, tregon Syla.