Sveçla mbështet Haxhiun pas lirimit të dy serbëve: Duket qartë se forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla ka reaguar pas lirimit të dy serbëve që u arrestuan të dielën në Prizren, e për të cilët u tha se ishin oficerë aktiv të shërbimeve të sigurisë serbe. Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar forca e ligjit dhe e…

Lajme

08/04/2025 16:00

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla ka reaguar pas lirimit të dy serbëve që u arrestuan të dielën në Prizren, e për të cilët u tha se ishin oficerë aktiv të shërbimeve të sigurisë serbe.

Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar forca e ligjit dhe e drejtësisë në këtë rast nuk ka pasur peshë.

“Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”, ka thënë Sveçla.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka theksuar se është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.

“Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, javën e kaluar gjatë realizimit të një operacioni janë ndaluar gjithsej 16 persona, të cilët po udhëtonin me katër vetura me targa të qytetit të Kragujevcit të Serbisë.