Sveçla jep sqarim lidhur me vonesën e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është sqaruar për vonesën e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime.

Lajme

25/11/2021 19:43

Ai në një postim në Facebook, ka bërë të ditur arsyet e kësaj vonese.

Sveçla, këtë ngecje ia ka faturuar qeverisjeve të mëparshme.

Ai ka thënë se këtë gjendje e ka gjetur dhe se është njoftuar me rrezikun e mbetjes pa dokumente personale për një periudhë të panjohur si shkak i mungesës globale të çipave elektronik.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Më lejoni që përveç në seancën e sotme të Kuvendit, të sqaroj edhe këtu situatën e pajisjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës me letërnjoftime. Arsyjen e vonesave për pajisje me letërnjoftime, gjendjen të cilën e kam gjetur si dhe finalizimin e negocimit të një kontrate kornizë një vjeçare, në vlerë 3,329,080 euro dhe atë për sasi më të madhe të dokumenteve dhe kosto shumë më të ulët të mirëmbajtjes. Pra përmes kësaj kontrate kornizë, kemi kursyer 1,382,400 euro vetëm në mirëmbajtje.

Menjëherë pas marrjes së detyrës së Ministrit të MPB-së në fund të muajit mars 2021, jam njoftuar për nevojën e pajisjes me dokumente personale. Po ashtu, jam njoftuar edhe me rrezikun e mbetjes pa dokumente personale për një periudhë të panjohur si shkak i mungesës globale të çipave elektronik. Çipat e letërnjoftimeve të Kosovës janë më të avancuar dhe nuk përdoren nga shumë shtete. Si pasojë, prodhuesi nuk kishte mundësi të furnizohej me çipa të letërnjoftimeve për të përmbushur nevojat e Kosovës për një periudhë indikative deri në fillim të dhjetorit 2021.

Bazuar në situatën e krijuar deri në furnizimin e mjaftueshëm me letërnjoftime, kemi vendosur që rezervat e stokut t’i përdorim vetëm për rastet emergjente si: udhëtimet tokësore përmes Serbisë, rastet e trajtimeve shëndetësore jashtë Kosovës, rastet e shkollimit jashtë Kosovës dhe paisjen me letërnjoftime për 18 vjeqarët që aplikojnë për herë të parë.

Pasi kam marrë detyrën e Ministrit, kam gjetur poashtu një proces tenderimi për furnizim me dokumente personale me vlerë prej 21 milion euro. Pas analizave tona nga të gjeturat e raportit të auditorit të përgjithshëm i publikuar në janar 2019, të gjeturat e raportit të komisionit të formuar për analizimin dhe vlerësimin e aktivitetit të prokurimit për pajisje me dokumente, të gjeturat nga analiza financiare e kontratës që ishte në implementim nga viti 2016 në raport me aktivitetin e inicuar më 15 mars 2021, dhe të gjeturat nga SWOT analiza për vazhdim ose anulim të procedurës, kemi gjetur disa parregullsi që kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e vlerësimit të nevojave, mungesën e vlerësimit të duhur të tregut, vlerësimin e pajisjeve ekzistuese, nuk kishte analiza mbi shërbimin e mirëmbajtjes së sistemit etj. Me këto të gjetura, rrezikohej mos marrja e vlerës për paranë e shpenzuar që është një ndër parimet thelbësore të aktivitetit të prokurimit. Të gjitha këto parregullsi, kanë shpier në vendimin për anulim të tenderit.

Kemi arritur të negocojmë një kontratë kornizë një vjeçare në vlerë 3,329,080 euro dhe atë për sasi më të madhe të dokumenteve dhe kosto shumë më të ulët të mirëmbajtjes. Pra kemi kursyer 1,382,400 euro vetëm në mirëmbajtje.

Sa për sqarim, me kontratën paraprake, kostoja vjetore e mirëmbajtjes pa avancim të sistemit dhe pa furnizim me pajisje të reja, ishte 1,500,000 euro në vit, kurse me kontratën e nënshkruar para dy muajve, për të njëjtin shërbim do të paguhen 117,600 euro në vit. Pra kursimi vjetor është 1,382,400 euro për shërbime të njëjta.

Aktualisht në ARC ka rreth 70,080 aplikime për letërnjoftime, ndërsa në stok gjenden 57,775 letërnjoftime. Në baza ditore, ARC personalizon 3000 letërnjoftime dhe ne parashikojmë që deri në fund të këtij viti të normalizojmë pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime. Në fund të këtij viti, ne do të kemi edhe furnizime të reja dhe nuk parashohim asnjë problem lidhur me pajisjen me letërnjoftime për qytetarët tanë.

Të nderuar qytetarë,

Në fund, dua të iu siguroj që mbesim të përkushtuar në shpenzimin sa më racional të parasë publike, përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit në institucionet e shtetit.