Surpriza e “gatuar” nga Vetëvendosje për zgjedhjet lokale- Hajrullah Çeku kandidat për Prishtinën?

Kryeqyteti pritet të marr fokusin kryesor në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kjo pasi emra befasuese nga partitë politike kandidojnë për të parin e Prishtinës. Një emër befasues pritet të dalë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje e që është Hajrullah Çeku, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit – të paktën këto janë raportimet e para…

Lajme

10/06/2025 15:21

Kryeqyteti pritet të marr fokusin kryesor në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kjo pasi emra befasuese nga partitë politike kandidojnë për të parin e Prishtinës.

Një emër befasues pritet të dalë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje e që është Hajrullah Çeku, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit – të paktën këto janë raportimet e para që VV-ja mund ta ketë kandidat Çekun.

Disa parti tashmë i kanë bërë publike edhe kandidatet e tyre për kryetar, por jo Vetëvendosje.

Në garë për Prishtinën tanimë të konfirmuar janë kryetari i deritanishëm Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besa Shahini apo njohur ndryshe si gruaja e Dardan Molliqajt nga PSD.

Nga Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë përmendur ende asnjë emër se kush do të mund të jetë kandidat i tyre në këto zgjedhje.

Si kandidat nga radhët e VV-ës në fillim u përmend Glauk Konjufca, e tani del se është Hajrullah Çeku.

Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, partia e Albin Kurtit nuk e ka mohuar mundësinë që Çeku të jetë kandidat për kryetar komune.

Zyrtari i degës së VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi duke mos e mohuar apo pohuar një gjë të tillë, tha për Lajmi.net se sapo të merret vendimi finale emri do të publikohet.

“Emri do të bëhet publik së shpejti, sapo të konfirmohet edhe në organet e Lëvizjes. Do të ju njoftojmë sapo ta kemi miratimin final”, tha Azemi për lajmi.net.

Emri i Çeku ka qarkulluar tash e disa javë në mediat vendore si kandidati më i mundshëm i VV-së për Prishtinën.

Nga Vetëvendosje nuk u mohua se Çeku do të jetë kandidat, por as nuk u konfirmua përfundimisht.

Kjo u tha edhe nga shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Svecla.

“Është një prej emrave që përmendet”, është shprehur shkurt ai.

Ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani zhvilloi një takim me përfaqësuesit e partive politike në vend.

Në këtë takim tema kyçe ishte pikërisht caktimi i datës së zgjedhjeve lokale. E dje nga Presidenca u bë e ditur se data e zgjedhjeve lokale është vendosur të jetë 12 tetori.

“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore”, thuhej në njoftimin e presidencës së Kosovës.

Derisa përgatitjet për zgjedhjet lokale tanimë nisin, në vend vazhdon të ekzistojë bllokada institucionale pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

Vendi ynë vazhdon të mos ketë kuvend të konstituar, e as qeveri të re të formuar nga këto zgjedhje.

Në Kuvend bllokada vazhdon duke u refuzuar propozim-ndryshimi për votim të fshehtë, si dhe refuzohet vazhdimisht e bindshëm emri i të propozuarës për kryekuvendare, Albulena Haxhiu.

E pikërisht për këtë, Haxhiu ditë më parë është pyetur se kë do të vendosë Vetëvendosje për kandidim në komunën e Prishtinës- meqë rast tha se çdo gjë do të dihet në kohë.

“Secilin kandidat do ta bëjmë publik me kohë e me radhë”, deklaroi Haxhiu para dy ditësh.

Duhet përkujtuar faktin se Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara lokale nuk është se doli mirë si në ato nacionale. Vetëvendosje drejton vetëm katër komuna e që janë, Kamenica, Gjilani, Podujeva dhe Shtimen.

Alban Hyseni, Shpejtim Bulliqi, Qemajl Aliu dhe Kadri Rahimaj janë kryetarët nga radhët e VV-së nga zgjedhjet e kaluara, e këta të njëjtit do të kandidojnë sërish për një mandat tjetër në drejtimin e këtyre komunave./Lajmi.net/