Supremja shpall të paligjshme plotësim/ndryshimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik
Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit- prokurorit Shqipdon Fazliu kundër Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe është shpallur e paligjshme dhe shfuqizuar Rregullorja nr.04/2025 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik. Përmes vendimit të 14 korrikut 2025, Supremja thekson se…

Lajme
Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit- prokurorit Shqipdon Fazliu kundër Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe është shpallur e paligjshme dhe shfuqizuar Rregullorja nr.04/2025 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.
Përmes vendimit të 14 korrikut 2025, Supremja thekson se ky aktgjykim merr formën e prerë menjëherë pas komunikimit të përmbajtjes dhe arsyetimit të tij palëve. Po ashtu, detyrohet KPK-ja që të njëjtin ta publikojë në mënyrë të njëjtë sikurse të miratimit të saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në vendim thuhet se paditësi Shqipdon Fazliu përmes të autorizuarit të tij, më 28 maj 2025, ka parashtruar padi për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ – Rregullores nr.04/2025 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, të datës 30 prill 2025, të nxjerrë nga i padituri Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Pas ndryshimit të Rregullores, e paditura kishte zgjedhur koordinator Kujtim Munishin, pozitë të cilën po e ushtronte Fazliu.
Paditësi ka pretenduar se Rregullorja është miratuar me shkelje të dispozitave të Memorandumit të Bashkëpunimit, Ligjit për Procedurën e përgjithshme Administrative, shkelje të dispozitave kushtetuese dhe praktikës së GJEDNJ-së, duke ndryshuar përbërjen dhe mandatin e Koordinatorit Kombëtar në mënyrë retroaktive, përkundër faktit se paditësi kishte ende mandat të vlefshëm deri më 7 dhjetor 2024.
“Ka shtuar se ky ndryshim përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike, parimit të mos-diskriminimit, si dhe është në kundërshtim me nenin 6 (parimi i ligjshmërisë) dhe nenin 53 (procedura dhe efektet e anulimit dhe shfuqizimit) të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Po ashtu, paditësi pretendon se është shkelur e drejta për pjesëmarrje në procedurë dhe parimi i transparencës, pasi nuk është njoftuar as nuk është përfshirë në procedurën e ndryshimit të rregullores, përkundër faktit se ai është subjekt i drejtpërdrejtë i saj”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet se pala paditëse ka theksuar se paditësi është emëruar koordinator sipas një procesi të ndjekur në vitin 2013 sipas memorandumit të mirëkuptimit ku institucionet gjegjëse ishin pajuar për themelimin dhe rregullimin përmes rregullores së pozitës së koordinatorit.
Aty thuhet se e paditura njëanshëm, pa u koordinuar me asnjë institucion nënshkrues të memorandumit ka ndryshuar rregulloren në fjalë duke shtuar dispozitat ligjore dhe të cilat po ashtu pranohen nga përgjigjja në padi dhe kështu nuk ka parashikuar asnjë dispozitë tranzicionale se me një mandat të dhënë pa një afat, ka kufizuar në mënyrë retroaktive pozitën e koordinatorit në fjalë, përkatësisht prokurorit Shqipdon Faziliu.
“Dhe në një proces siç e pranon edhe e paditura të një votimi të mbyllur ka futur në garë kundërligjshëm prokurorin Shqipdon Fazliu pa aplikuar fare dhe me vendimin e saj e paditura ka zgjedhur koordinator Kujtim Munishin”, thuhet në vendim.
Gjjithnjë sipas vendimit, e paditura në përgjiigje në padi dhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor, ka theksuar se miratimi i Rregullores së kontestuar është bërë në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi.
Kësaj Rregulloreje, e paditura ka thënë se i ka paraprirë një analizë e punuar nga grupi punues të cilët kanë evidentuar se rregullores bazë i mungojnë disa çështje kruciale ndër to edhe afati i mandatit të koordinatorit.
“Pra ky akt nuk e cenon përmbajtjen e memorandumit përkundrazi e ndihmon në zbatimin praktikë dhe të rregullt të tij. Edhe vendimi për emërimin e koordinatorit të ri është nxjerrë në zbatim të kësaj rregullore dhe dispozitave ligjore të lartcekura pra rrjedhimisht KPK, me trupat e tij përkatësisht Komisionin për çështje normative sigurohet të merren të gjitha veprimet e nevojshme për akte që të jenë në pajtim me ligjin”, citohen pretendimet e të paditurës.
Lidhur me pretendimin e paditësit se i njëjti ka hyrë në garë pa miratimin e tij, KPK-ja ka vlerësuar se një pretendim i tillë nuk qëndron sepse të njëjtit i është dhënë mundësia që të hyjë në garë të barabartë me kandidatët e tjerë që i kanë plotësuar këto kushte. Andaj, sipas KPK-së, Rregullorja e kontestuar është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk i ka cenuar të drejtat e paditësit.
Në vendim thuhet se pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, mes institucioneve: Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Ministria e Drejtësisë (MD), Ministria e Financave (MF), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Agjencioni kundër Korrupsionit (AKK), Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku palët ishin pajtuar që tani i padituri KPK, të nxjerrë një Rregullore me të cilën do të përcaktohen funksionet, detyrat dhe përgjegjësitë e Koordinatorit Kombëtar, KPK-ja kishte miratuar Rregulloren për themelimin dhe funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar me qëllim të rritjes së efikasitetit në ndjekjen e kryerësve të veprave penale, sekuestrimin dhe konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale dhe në mbështetje të saj në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar, më 2013 kishte emëruar prokurorin shtetëror Shqipdon Fazliu, këtu paditësin.
Kurse, më datë 30 prill 2025, kishte miratuar ndryshim/plotësimin e kësaj rregulloreje, ndërsa me vendimin e datës 30 prill 2025, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kishte caktuar prokurorin Kujtim Munishi, me mandat 3 vjeçar, me mundësi rizgjedhje edhe për një mandat.
Gjykata Supreme pas shqyrtimit të kërkesës së paditësit dhe pretendimeve të parashtruara në të, vlerëson se kërkesa është e bazuar.
Supremja konstaton se Rregullorja nuk përmban asnjë dispozitë që rregullon çështjen e mandatit të koordinatorit ekzistues në kohën e nxjerrjes së saj, përkatësisht nuk ofron qartësi mbi mënyrën e trajtimit të pozitës së funksionit të Koordinatorit Kombëtar dhe as nuk parasheh dispozita tranzicionale për efektet e saj ndaj mandatit në zhvillim.
Kjo gjë, thuhet se krijon një situatë që bie ndesh me rregullimin e ri të rregullores kontestuese, si dhe me pozitën juridike të të emëruarit në këtë pozitë, këtu paditësit.
Supremja vlerëson se i padituri pa koordinim me institucionet nënshkruese të memorandumit, ka ndryshuar rregulloren përmes një grupi punues të brendshëm institucional dhe ka ndërmarrë veprime të rëndësishme duke: kufizuar në mënyrë retroaktive një mandat që fillimisht ishte pa afat të përcaktuar në kohë.
“Sipas Memorandumit të Bashkëpunimit, nr.01-334, të datës 21.01.2014, gjegjësisht në frymën e interpretimit të dispozitave ligjore të tij, të lidhur ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), dhe institucioneve tjera të lartcekura, i padituri ka marrë përsipër detyrimin që të caktojë një prokuror për pozitën e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, duke u bazuar në kriterin që i njëjti të jetë nga radhët e prokurorëve me mandat të përhershëm”, thuhet në vendim.
Supremja thotë se kjo nënkupton që KPK nuk mund të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme në këtë pozitë, pa u koordinuar me institucionet nënshkruese të memorandumit, dhe as të ndryshojë kushtet themelore të funksionit përmes një rregulloreje të njëanshme.
Gjykata vëren se nga e paditura nuk është ofruar asnjë sqarim i mjaftueshëm se cili ka qenë qëllimi i ndryshimit të rregullores, në rrethanat kur paditësi Fazliu- si koordinator kombëtar, ka ushtruar funksionin në mënyrë të vazhdueshme që nga emërimi i tij në vitin 2013, dhe as nëse ka pasur vlerësim negativ të përformancës së ti.
“Në anën tjetër, paditësi ka provuar se ka pasur përformancë pozitive përgjatë ushtrimit të mandatit të tij, të cilat të dhëna nuk janë kontestuar nga e paditura, e cila nuk ka paraqitur asnjë provë apo pretendim se ka pasur ndonjë ankesë apo vërejtje lidhur me punën e paditësit në këtë periudhë. Për më tepër, i padituri nuk ka provuar me asnjë provë të vetme se ndryshim plotësimet e rregullores bazë, i ka bërë në koordinim me institucionet e tjera publike nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit, mbi bazën e të cilit kanë marrë përsipër detyrimin për themelimin dhe funksionalizimin e pozitës së Koordinatorit Kombëtar”, thuhet në vendim.
Aty thuhet se Rregullorja i është nënshtruar konsultimit publik, por që KPK-ja nuk ka provuar me asnjë provë të vetme se palët nënshkruese janë pajtuar për kufizimin e mandatit të koordinatorit kombëtar.