Supremja refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për Momir Pantiq dhe Zharko Zariq
Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile. Njoftimi i plotë i Supremes: Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të pandehurve M.P. dhe Zh.Z., për shkak të…
Lajme
Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Njoftimi i plotë i Supremes:
Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të pandehurve M.P. dhe Zh.Z., për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “Krime lufte kundër popullatës civile”, sipas ligjit penal në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, aktualisht e inkriminuar si “Krim kundër njerëzimit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitura kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Me aktgjykimin Pml.nr.222/2026, janë refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve M.P. dhe Zh.Z.Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, ka vlerësuar se kërkesat janë të pabazuara, pasi rezulton ekzistimi i dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, me ç’rast janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit.
Gjykata Supreme vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurve në rast të mbrojtjes në liri, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, sanksionin e mundshëm dhe faktin se të pandehurit janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe posedojnë dokumente udhëtimi, çka mundëson lëvizjen e tyre jashtë vendit.
Në këto rrethana, masa e paraburgimit konsiderohet e nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
Gjykata Supreme gjithashtu ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsye të mjaftueshme dhe nuk kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ndërsa masat alternative janë vlerësuar si të pamjaftueshme në rrethanat konkrete.