Supremja refuzon ankesën e Listës Serbe për certifikimin e kandidatëve për deputetë të partisë së Rashiqit

Gjykata Supreme ka vendosur të refuzojë ankesën e subjektit politik “Lista Serbe”, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Sipas njoftimit në seancën e mbajtur më 22.05.2026, ankesa e subjektit politik “Lista Serbe” është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së, është vërtetuar. “PZAP, me vendimin ZP.Anr.5/2026 të datës 18.05.2026,…

Lajme

22/05/2026 15:57

Gjykata Supreme ka vendosur të refuzojë ankesën e subjektit politik “Lista Serbe”, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Sipas njoftimit në seancën e mbajtur më 22.05.2026, ankesa e subjektit politik “Lista Serbe” është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së, është vërtetuar.

“PZAP, me vendimin ZP.Anr.5/2026 të datës 18.05.2026, kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik “Lista Serbe”, të paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), lidhur me certifikimin e dhjetë (10) kandidatëve të subjektit politik “Za Slobodu Pravdu i Opstanak”, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 07 Qershor 2026”, thuhet në njoftim.

Kundër vendimit të PZAP-së, subjekti politik “Lista Serbe” ka ushtruar ankesë në Gjykatë Supreme, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkelje të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Ankuesi ka propozuar anulimin e vendimit të PZAP-së dhe të vendimit të KQZ-së, si dhe detyrimin e KQZ-së për nxjerrjen e një vendimi të ri.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës, Gjykata Supreme e Kosovës gjeti se ankesa është e pabazuar.

Gjykata Supreme vlerësoi se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb.