Supremja ia ul dënimin në 18 vjet të akuzuarit për vrasjen e babait dhe vëllait në Mitrovicë
Gjykata Supreme më 18 nëntor 2024, ka ndryshuar për herë të dytë vendimin e Gjykatës së Apelit, duke ia ulur dënimin nga 23 vjet në 18 vite burgim të pandehurit M.B, i cili akuzohej për vrasjen e vëllait dhe babit të tij me thikë në 2022-ën në Mitrovicë. “Gjykata Supreme e Kosovës në seancën e…

Lajme
Gjykata Supreme më 18 nëntor 2024, ka ndryshuar për herë të dytë vendimin e Gjykatës së Apelit, duke ia ulur dënimin nga 23 vjet në 18 vite burgim të pandehurit M.B, i cili akuzohej për vrasjen e vëllait dhe babit të tij me thikë në 2022-ën në Mitrovicë.
“Gjykata Supreme e Kosovës në seancën e kolegjit shqyrtoi shkresat e lëndës në kuptim të nenit 435 par.1 lidhur me nenin 436 par.1 të Kodit të Procedurës Penale (KPP) dhe pas vlerësimit të pretendimeve në kërkesë, gjeti se: – kërkesa është e bazuar”, thuhet në vendimin e Supremes, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Me këtë vendim Supremja ka ndryshuar aktgjykimin e dytë Apelit të marrë më 19 korrik 2024, duke e ndryshuar dënimin në burgim nga 23 vite në 18 si dhe njëkohësisht i ka shqiptuar masën për trajtim të detyrueshëm.
“Me aprovimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit M.B., ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës… dhe e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 18 (tetëmbëdhjetë) vite e njëkohësisht i shqipton masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim”, thuhet në vendimin e Supremes.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Mitrovicë më 3 prill 2023, e kishte shpallur të akuzuarin M.B fajtor duke e dënuar të njëjtin me 18 vite burgim si dhe trajtim të detyrueshëm psikiatrik.
Ndërsa, kundër këtij aktgjykimi është paraqitur ankesë nga ana e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, përfaqësuesi i të dëmtuarës L. M, av, Miodrag Bërklaqi dhe avokati mbrojtës i të dënuarit, Mahmut Halimi.
Por, vendimi i Themelores ishte prishur nga ana e Apelit më 8 gusht 2023, e cila të akuzuarit M.B, ia kishte rritur dënimin nga 18 në 28 vite burgim.
Mirëpo, duke e aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të akuzuarit M.B, avokat Mahmut Halimi, Gjykata Supreme, më 22 dhjetor 2023, e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit, dhe lëndën ia kishte kthye të njëjtës gjykatë në rigjykim, me arsyetimin se nuk janë vlerësuar drejt pretendimet e ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit.
Mbi këtë çështje, më 19 korrik 2024, Apeli përsëri ka shpallur fajtor të akuzuarin M.B, por kësaj radhe e kishte dënuar me 23 vite burgim.
Lidhur më këtë vendim, mbrojtësi i të akuzuarit M.B, avokati Halimi sërish kishte paraqitur kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë, në të cilën kërkesë thuhet se Apeli kishte shkelur ligjin penal në dëm të të dënuarit duke hedhur në tërësi mendimin e ekspertëve të psikiatrisë të Institutit të Forenzikës Psikiatrike të Kosovës (IFPK), në të cilat ishte konstatuar si M.B në kohën e kryerjes së veprës penale kishte qenë në kufijtë e gjendjes esencialisht të zvogëluar mendore.
Sipas këtyre ekspertizave, gjendjen e shëndetit mendor të të dënuarit ishte e karakterizuar me rënie të disponimit për një periudhë të gjatë kohore në pamundësi për të ndjerë kënaqësi, ngadalësim psikomotorik, tërheqje sociale…dhe se mund të shfaqen ide pa shpresë dhe ide suicidale dhe paranoike.
Sipas mbrojtjes, Apeli nuk kishte arritur të bënte dallimin në mes gjendjes së pallogaritshme dhe gjendjes esecilaisht të zvogëluar, e ku kjo e fundit nuk e liron të akuzuarin tërësisht nga përgjegjësia penale por të njëjti i shqiptohet dënimi i caktuar si dhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
Në arsyetimin e Supremes, të datës 18 nëntor 2024. thuhet se gjykata e shkallës së dytë ka zbatuar gabimisht ligji penal, duke interpretuar atë në mënyrë të gabueshme.
Ashtu që në vendim thuhet që, Apeli ka nxjerr konkludime të gabuara dhe atë në dëm të të dënuarit kur është konstatuar se i dënuari nuk ka vepruar me përgjegjësi esencialisht të zvogëluar dhe si rezultat i këtij konstatimi është ashpërsuar dënimi i shqiptuar dhe njëkohësisht është anuluar pjesa e aktgjykimit përkitazi me masën e trajtimit të detyrueshëm me ndalim.
Gjithashtu, në vendimin e dytë të Supremes thuhet që Apeli në mënyrë të gabuar ka dhënë konkludime përkitazi me raportin mbi ekzaminimin psikiatrik të të dënuari, me rastin e ashpërsimit të dënimit përkatësisht heqjes së masës së trajtimit të detyrueshëm me ndalim.
Sipas Supremes, ky anashkalim i ekspertizave të ekspertëve të IFPK-së është juridikisht i paqëndrueshëm, kjo posaçërisht duke pasur parasysh udhëzimet e aktgjykimit të Gjykatës Supreme.
Sipas këtij aktgjykimi, gjykatës së shkallës së dytë i janë dhënë udhëzime të qarta dhe të plota lidhur me rigjykimin e kësaj çështje penale, por përkundër kësaj edhe aktgjykimi vijues i gjykatës ka rezultuar me ripërsëritje të gabimeve të evidentuara dhe mos përfillje e këtyre udhëzimeve, posaçërisht përkitazi me raportin e ekspertizës mbi ekzaminimin psikiatrik të të dënuarit.
Tutje, në vendim të Supremes thuhet që Apeli nuk ka kompetencë për të ardhur në konkudime të kundërta me ekspertizat e eksperteve.
“Sipas vlerësimit të Gjykatë Supreme të Kosovës nuk është në kompetencën e gjykatës së shkallës së dytë për të ardhur në konkludim të kundërt me ekspertizën e ekspertëve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike e aq më pak që raporti i kësaj ekspertize të zëvendësohet me mendim të gjykatës, meqë vlerësimet e ekspertëve bazohen në të arriturat shkencore dhe të cilët janë profesionist të fushës së caktua”, thuhet në vendim.
Tutje, Supremja thotë që vlerësimi i Apelit mbi gjendjen mendore në bazë të dëshmisë së dëshmitarëve është një konkuludim tërësisht i gabuar, për shkak se në asnjë rrethanë gjendja mendore e të akuzuarit nuk mund të vërtetohet me bazën e dëshmisë së dëshmitarëve.
“Për më tepër, arsyetimi dhe vlerësimi i gjykatës së shkallës së dytë se aktgjykimin e mbështetë në dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjuar për të ardhur deri te konkludimi se bëhet fjalë për person i cili veprën penale nuk e ka kryer në gjendje esencialisht të zvogëluar dhe duke anashkaluar në tërësi raportin e ekspertëve del të jetë një konkludim tërësisht i gabuar. Kjo për faktin se në asnjë rrethanë dëshmitarët e dëgjuar nuk mund të paraqesin mendimin e tyre përkitazi me gjendjen mendore të të dënuarit…”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, vendimi i Supremes i rikujton Apelit faktin se në rastet kur ekzistojnë dyshime se vepra penale është kryer si pasojë e paaftësisë mendore apo aftësisë së zvogëluar mendore është e nevojshme caktimi i ekspertizës me qëllim të pohimit apo mohimit të këtij dyshimi dhe që konkuldimi i tyre është në kundërshtim me ekspertizat e ekspertëve të IPFK.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 24 tetor 2022 kishte ngritur aktakuzë kundër M.B, me arsyetimin se më 27 maj 2022, në orët e hershme të mëngjesit dhe atë brenda orëve 05:00 – 06:00, në Mitrovicë, në rrugën “Kral Petri”, me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij, babain e tij M.B dhe vëllain U.B.
Sipas aktakuzës, si rezultat i mosmarrëveshjeve familjare me prindin e tij M.B, i akuzuari natën kritike shfrytëzon situatën derisa të njëjtit ishin në gjumë, paraprakisht shkon në dhomën e të ndjerit U., ku me thikë të kuzhinës të gjatësisë 33.5 cm e godet në gjoks dhe atë në zonën e zemrës, i cili ishte në gjumë dhe i cili nga goditja vdekjeprurëse nuk ka mundur të ofrojë rezistencë, ndërkohë që thikën ia lë të ngulitur në gjoks.
Pastaj, në aktakuzë thuhet se i pandehuri del nga dhoma e të ndjerit U. ku pastaj i njëjti, i pajisur me thikë tjetër të kuzhinës e pret për një kohë babain e tij M. që të zgjohet nga gjumi për të shkuar në banjo dhe pasi që i njëjti zgjohet nga gjumi dhe drejtohet për në banjo i pandehuri e godet me thikë në abdomen, në këtë rast i dëmtuari M., manifeston rezistencë dhe arrin që ta rrëzojë të pandehurin në dysheme dhe t’ia marrë thikën, ku pas këtij momenti fillon të thërras djalin e tij U., ku hyn në dhomën e të ndjerit U. dhe e sheh të vdekur.
Tutje, sipas aktakuzës tani i ndjeri M. fillon të bërtas duke kërkuar ndihmë ashtu i lënduar me dy thika të kuzhinës dhe disi troket në derën e fqinjit të tij Drazho Dragoljub, ku pastaj Dragoljubi thërret ndihmën e shpejtë dhe i dëmtuari dërgohet në spital, por i njëjti edhe përkundër përpjekjeve për reanimim ndërron jetë në spital dhe atë si rezultat i gjakderdhjes së brendshme masive në regjionin e barkut, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e përparmë të barkut, nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).
Ndërkohë, tani i ndjeri U.B vdes si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagëve shpuese – prerëse në regjionin e aortës torakale nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar.1.3, 1.4 dhe 1.11 të Kodit Penal.