Supremja i liron nga akuzat për mashtrim dhe shpëlarje parash të pandehurit për rastin e 176 banesave
Gjykata Supreme ka përpiluar me shkrim vendimin plotë lidhur me rastin ndaj Estrida Bunjakut, Vigan Bunjakut, Burim Vokrrit, Xhemajl Arifit, dhe Valon Orllanit, përmes të cilit i ka liruar nga akuza për mashtrim dhe shpëlarje parash. Vendimi i shkallës së tretë, i përpiluar më 21 mars 2025, thekson se me aprovimin e kërkesave për mbrojtje…

Lajme
Gjykata Supreme ka përpiluar me shkrim vendimin plotë lidhur me rastin ndaj Estrida Bunjakut, Vigan Bunjakut, Burim Vokrrit, Xhemajl Arifit, dhe Valon Orllanit, përmes të cilit i ka liruar nga akuza për mashtrim dhe shpëlarje parash.
Vendimi i shkallës së tretë, i përpiluar më 21 mars 2025, thekson se me aprovimin e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pesë të pandehurve, si dhe kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së të pandehurit Arifi, ndryshohet aktgjykimi i Themelores dhe ai i Apelit, kështu që të akuzuarit lirohen nga akuza për mashtrim dhe shpëlarje parash.
Sipas Supremes, me dënimin e të akuzuarve me Kodin Penal të vitit 2012, Themelorja dhe Apeli kanë cenuar një parim fundamental në të drejtën penale, që është se ndaj kryerësit aplikohet ligji që ka qenë në fuqi në kohë e kryerjes e ligji i mëvonshëm vetëm në rast se është më i favorshëm.
“…siç gabimisht ka vepruar gjykata e shkallës së parë, ngase me këtë ka cenuar një parim fundamental në të drejtën penale, se ndaj kryerësve të veprës penale aplikohet ligji që ka qenë në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale, ndërsa ligji i mëvonshëm vetëm nëse është më i favorshëm për të pandehurit”, thuhet në vendim.
Vendimi i Gjykatës Supreme është marrë nga gjykatësit: Agim Maliqi- kryetari i kolegjit dhe anëtarët gjykatësit Valdete Daka dhe Afrim Shala.
Historiku i rastit:
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 15 qershor 2022, i kishte shpallur fajtorë pesë të akuzuarit për mashtrimin e 176 blerësve të banesave, Estrida Bunjakun, Burim Vokrrin, Vigan Bunjakun, Xhemajl Arifin dhe Valon Orllanin, duke i dënuar (së bashku) me 30 vite burgim dhe 450 mijë euro gjobë. Kurse, Faton Orllani ishte liruar nga aktakuza për veprën penale “Pastrim parash”.
Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, duke refuzuar akuzën ndaj të akuzuarës Estrida Bunjaku për veprën penale “Shmangie nga tatimi” dhe duke aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Valon Orllani, dhe Xhemajl Arifi.
Megjithatë, Themelorja edhe në rigjykim, më 19 tetor 2023, i kishte dënuar pesë të akuzuarit e lartcekur (së bashku) me 20 vjet burgim dhe 330 mijë euro.
Por, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Themelores, lidhur me dënimin me burgim dhe me gjobë.
Mirëpo, Supremja fillimisht kishte nxjerrë vendim, duke ua ndërperë dënimi me burguim dy të dënuarve Estrida Bunjaku dhe Vigan Bunjaku, dhe duke shtyrë ekzekutimin e dënimit për Burim Vokrrin, Xhemajl Arifin dhe Valon Orllanin.
Përmbajtja e vendimit të Gjykatës Supreme:
Sipas vlerësimit të Supremes, gjykatat e shkallëve më të ulëta, me vendimet e mëparshme nuk kanë dhënë asnjë arsye se cilat fakte të rreme i ka fshehur e akuzuara Bunjaku dhe në çfarë dimensioni është prezentuar e njëjtat rrejshëm.
Kjo pasi, sipas Supremes, vepra penale e mashtrimit për të cilën është dënuar Bunjaku parasheh paraqitjen e rrejshme apo duke fshehur faktet, e që në vendimet e Themelores dhe Apelit, kjo Gjykatë, thotë se nuk janë sqaruar se cilat fakte janë fshehur dhe kur është prezentuar rrejshëm Bunjaku.
Në vendimin e shkallë së tretë, thuhet se në rastin në fjalë është bërë fjalë për raport të pastër civilo-juridik dhe jo me vepër penale të mashtrimit siç ka pretenduar prokurori, pretendim të cilin e ka pranuar Gjykata Themelore në Pejë dhe Apeli.
Sipas Supremes, edhe po të vërtetohej vepra penale e mashtrimit del se si vepër ishte e parashkruar, pasi që veprimet pretendohet të jenë kryer gjatë vitit 2009-2012 dhe se parashkrimi relativ për atë penale është 5 vite.
Gjithnjë sipas Supremes, deri më 24 gusht 2024 kur është vërtetuar vendimi i Themelores nga Apeli, kanë kaluar më shumë se 10 vite, ashtu siç llogaritet dyfishi i kohës së paraparë të afatit të parashkrimit absolut.
“Nga vitit 2009-2012 e deri me datë 24.08.2024, kur aktgjykimi ka marr formën e prerë, kanë kaluar mbi 10 vite deri në 15 vite, ndërsa për veprën penale nga nenin 261 par.2 të KPK, që ishte në fuqi kur janë lidh para kontratat, afati absolut është 10 vite. D.m.th në kohë e gjykimit këto vepra penale ishin të parashkruara”, thuhet në vendim.
Lidhur me veprën penale “Shpëlarje e parasë”, sipas Supremes, Themelorja dhe Apeli kanë ardhur në konstatim të gabuar të gjendjes faktike dhe se në rigjykim, Themelorja vetëm formalisht kishte rihapur çështjen duke mos adresuar çështjet kur Apeli për herën e parë e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Në vendim thuhet se të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.
Ndërsa, trualli i konfiskuar nga i pandehuri Valon Orllani, i kthehet të njëjtit.
Çka thuhet në aktakuzë?
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkoheshin me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2 milionë euro.
Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjellë në lajthim rreth 176 qytetarë duke iu paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Prokuroria pretendonte se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas Prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.
Prokuroria pretendonte se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para-kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para-kontratë 12-18 muaj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5 mijë euro e deri në shumën më të madhe prej 200 mijë euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group” dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.
Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, kanë tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.
E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohej edhe për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim joracional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve joproporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.
Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohej me kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimi”, në vlerë prej 80 mijë e 610 euro e 50 centë, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi