Supremja hedh poshtë padinë e IKD-së për shfuqizimin e nenit 50 të Rregullores për marrëdhënien e punës në ATK
Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejueshme padinë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), përmes së cilës ishte kërkuar shfuqizimi i një dispozite të Rregullores për Rregullimin e Marrëdhënies së Punës për Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, vendimi është marrë më 13 tetor…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejueshme padinë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), përmes së cilës ishte kërkuar shfuqizimi i një dispozite të Rregullores për Rregullimin e Marrëdhënies së Punës për Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, vendimi është marrë më 13 tetor 2026, jashtë seancës gjyqësore, gjatë shqyrtimit paraprak të lejueshmërisë së padisë së paraqitur kundër Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës.
IKD-ja kishte kërkuar shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 50 të Rregullores Nr. 01/2026, të miratuar më 27 prill 2026, përmes së cilës rregullohet marrëdhënia e punës për zyrtarët e ATK-së.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se IKD-ja nuk ka dëshmuar se i plotëson kushtet ligjore për të kërkuar shfuqizimin e një akti nënligjor normativ në rrethanat e këtij rasti.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata ka theksuar se nga provat e paraqitura nuk është vërtetuar se organizata është prekur drejtpërdrejt ose tërthorazi nga zbatimi praktik i dispozitës së kontestuar. Po ashtu, sipas Gjykatës, nuk është dëshmuar ekzistimi i interesit juridik për kundërshtimin e saj përmes kësaj padie.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, dispozita e kontestuar prek drejtpërdrejt një kategori të caktuar dhe të kufizuar të personave që ushtrojnë ose kanë ushtruar pozita të caktuara profesionale. Megjithatë, personat që përfshihen në këtë kategori nuk kanë paraqitur pretendime për vlerësimin e ligjshmërisë së aktit nënligjor.
Gjykata i është referuar Ligjit Nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative, duke sqaruar se padia mund të hidhet poshtë kur nuk plotësohen kushtet e përgjithshme ose të veçanta procedurale të përcaktuara me ligj.
Gjykata Supreme nuk ka shqyrtuar ligjshmërinë e dispozitës së kontestuar. Vendimi është bazuar vetëm në mungesën e legjitimitetit procedural të IKD-së për të paraqitur këtë padi, prandaj nuk përbën vlerësim mbi përmbajtjen e dispozitës së Rregullores së ATK-së.
Si rrjedhojë e vendimit, është anuluar edhe seanca gjyqësore e caktuar për 20 tetor 2026, në orën 09:30.
Në fund, Gjykata Supreme ka rikujtuar se, sipas Ligjit për Konfliktet Administrative, ajo vendos si shkallë e parë dhe e vetme për paditë që kanë për objekt shfuqizimin e akteve nënligjore normative. /Lajmi.net/