‘Superman’ Ronaldo

Cristiano Ronaldos i nevojitet vetëm edhe një gol për Real Madridin në ndeshjen kundër Rayo Vallecanos sonte në La Ligë për të realizuar nismën më të mirë të një sezoni, në karrierën e deritashme si profesionist. Ronaldo është aktualisht në kuotën e 18 golave në 14 ndeshje zyrtare për Realin këtë edicion – përfshirë pesë…

Sport

02/11/2013 11:18

Cristiano Ronaldos i nevojitet vetëm edhe një gol për Real Madridin në ndeshjen kundër Rayo Vallecanos sonte në La Ligë për të realizuar nismën më të mirë të një sezoni, në karrierën e deritashme si profesionist.

Ronaldo është aktualisht në kuotën e 18 golave në 14 ndeshje zyrtare për Realin këtë edicion – përfshirë pesë penallti – statistika identike me ato të sezonit të kaluar nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Andaj, një tjetër gol sonte kundër Vallecanos do ta shënojë fillimin më të mirë të tij në një sezon të ri, në karrierën si profesionist, njofton e përditshmja sportive spanjolle Marca.

Në total, ylli portugez ka realizuar 219 gola në 213 ndeshje për Real Madridin pas transferimit në Santiago Bernabeu nga Manchester United më 2009.

Ai kishte realizuar 18 gola në 14 ndeshjet e para, edhe në edicionin e kaluar, por u ndal në ndeshjen e 15-të, në fitoren 4-0 ndaj Real Zaragozës ku edhe pse luajti për gjithë ndeshjen, golat i realizuan Luka Modric, Ricardo Carvalho, Angel di Maria dhe Gonzalo Higuain.