Sunak në Izrael: Hamas janë terroristë – Jemi me Izraelin

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, do të mbërrijë në Izrael të enjten për takime me Kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe Presidentin Isaac Herzog, përpara se të shkojë në kryeqytetet e tjera rajonale, njoftoi zyra e udhëheqësit britanik. Zoti Sunak do të shprehë ngushllimet e popullit britanik për humbjet e jetëve në Izrael dhe Gaza si rezultat i…

Bota

19/10/2023 15:50

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, do të mbërrijë në Izrael të enjten për takime me Kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe Presidentin Isaac Herzog, përpara se të shkojë në kryeqytetet e tjera rajonale, njoftoi zyra e udhëheqësit britanik.

Zoti Sunak do të shprehë ngushllimet e popullit britanik për humbjet e jetëve në Izrael dhe Gaza si rezultat i sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit nga terroristë e Hamasit që kontrollojnë Gazën. Zyra e kryeministrit tha se zoti Sunak do të paralajmërojë kundër përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në rajon.

“Çdo vdekje e popullsisë civile është një tragjedi. Shumë jetë janë humbur pas aktit të tmerrshëm të terrorit të Hamasit”, tha zoti Sunak përmes një deklarate përpara vizitës së tij.

Ai tha se shpërthimi vdekjeprurës në një spital në Gaza të martën, që vrau qindra palestinezë, duhet të jetë “një moment vendimtar për udhëheqësit e rajonit dhe mbarë botës që të bashkohen për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të rrezikshëm të konfliktit”, duke u zotuar se Britania do të jetë “në ballë të kësaj përpjekjeje”.

Zoti Sunak do të kërkojë gjithashtu hapjen e një rruge për të lejuar ndihmat humanitare në Gaza sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për t’u mundësuar shtetasve britanikë të bllokuar në Gaza që të largohen.

Të paktën shtatë britanikë janë vrarë dhe të paktën nëntë rezultojnë të zhdukur që nga sulmi ndaj Izraelit, tha më herët të mërkurën zëdhënësi i zotit Sunak.

Ndërkohë, Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, i cili vizitoi Izraelin javën e kaluar, do të shkojë në Egjipt, Turqi dhe Katar gjatë tre ditëve të ardhshme për të diskutuar mbi konfliktin dhe për të kërkuar një zgjidhje paqësore, tha zyra e tij.

Britania tha se të tre vendet ishin “jetike në përpjekjet ndërkombëtare për të mbështetur stabilitetin rajonal, për të liruar pengjet dhe për të lejuar qasjen humanitar në Gaza”.

Zoti Cleverly do të takohet me udhëheqës të lartë në rajon për të diskutuar mbi përpjekjet për të parandaluar përhapjen e konfliktit, nevojën urgjente për të hapur vendkalimin Rafah me Egjiptin për të lejuar që ndihmat të arrijë tek ata që kanë nevojë dhe që Hamasi të lirojë pengjet, tha Londra.