Sulmohen përsëri zyrtarët policorë në veri të vendit
Zyrtarët policorë të Kosovës janë sulmuar mëngjesin e sotëm në veri të vendit.
Lajme
Sipas informacioneve të para sulmi ka ndodhur rreth orës 08:00, e ku cak ishin policët e Kosovës, por që të njëjtit shpëtuan falë veturës zyrtare të blinduar.
Duhet përkujtuar që tash e disa herë radhazi zyrtarët policorë të Kosovës janë sulmuar në veri të vendit.
Si fillim në drejtim të tyre ishin hedhur gurë, më pas persona të dyshimtë kishin vendosur iriqë metalikë në rrugën ku të njëjtit kalojnë thuajse çdo ditë.
Duke mos mjaftuar me kaq, persona të dyshimtë më pas kanë hedhur granata ushtarake në drejtim të policëve të Kosovës. Një sulm tjetër i drejtpërdrejtë ishte kur pati të shtëna me armë zjarri AK-47 në drejtim të zyrtarëve policorë.
Lidhur me gjithë këto sulme, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se janë sulme terroriste.
E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës pati theksuar se sulmet dyshohet se kanë ardhur nga territori i Serbisë./Lajmi.net/