Sulmi në Poloni – paralajmërim nga Bedri Elezi: Rusia mund të aktivizoj Listën Serbe dhe Serbinë për të cënuar sigurinë e vendeve ballkanike
Eskalimi i fundit i situatës mes Rusisë dhe Polonisë, pas sulmeve me dron në territorin polak, ka ngjallur shqetësim edhe në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën. Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, në një prononcim për Lajmi.net, ka dhënë një analizë të thelluar lidhur me ndikimin që mund të ketë kjo situatë në sigurinë rajonale dhe…

Lajme
Eskalimi i fundit i situatës mes Rusisë dhe Polonisë, pas sulmeve me dron në territorin polak, ka ngjallur shqetësim edhe në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.
Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, në një prononcim për Lajmi.net, ka dhënë një analizë të thelluar lidhur me ndikimin që mund të ketë kjo situatë në sigurinë rajonale dhe veçanërisht në Kosovë.
I pyetur nëse ky eskalim mund të ketë ndikim në çështjen e sigurisë në Kosovë, Elezi u shpreh:
“Situata e rëndë e sigurisë në Poloni për shkak të sulmeve ruse me dron, ka hapur një kapitull të ri sa i përket të çështjeve të sigurisë në përgjithësi në Evropë dhe gadishullin ballkanik. Kjo ngase është sulmuar për herë të parë në histori një shtet anëtar i NATO-s, ku edhe realisht mund të analizohet mundësia e çështjeve që lidhen me nenin 5, ku NATO e ka për obligim të ndërmarr veprime të caktuara për ta mbrojtur shtetin anëtar të saj.”
Duke komentuar më tej ndikimet e mundshme në Ballkan, eksperti shtoi:
“Sa i përket kësaj situate të rëndë, ne në fakt kemi ngritur shqetësimet tona në vazhdimësi se ekziston rreziku i përshkallëzimit të situatës së sigurisë në botë po ashtu në Evropë, duke marrë përshkas edhe zhvillimet që lidhen me marrëdhëniet që ka Rusia me Serbinë, e që në fakt mund të kenë një ndikim padyshim në çështjet që lidhen me strategjinë apo gjeostrategjinë e Rusisë në raport me Ballkanin.”
Sipas tij, rreziku për Ballkanin është i pranishëm dhe konkret:
“Mund të themi që për Ballkanin padyshim që ky sulm përbën një kërcënim serioz ngase ekziston mundësia që Rusia të përdorë artilerinë e saj për të kryer veprime të ngjajshme siç ka bërë në Poloni për të cënuar sigurinë e vendeve ballkanike, poashtu mund të aktivizoj partnerët e saj siç janë Serbia dhe Lista Serbe, të cilat janë të gatshëm dhe kanë treguar qartazi se janë totalisht në ndikim dhe në shërbim të Moskës zyrtare.”
Në këtë kontekst, Elezi theksoi nevojën për përgatitje konkrete nga ana e institucioneve të Kosovës:
“Ne duhet të kemi parasysh këto situata dhe padyshim duhet të ndërmarrim veprime të caktuara për të ngritur shkallën e vigjilencës apo edhe për të hartuar plane konkrete speciale operative për t’u ballafaquar me situatën aktuale e cila mund të ndodhë.”
Ai paralajmëron se Serbia mund të shfrytëzojë këtë situatë për të ndërmarrë veprime të ngjashme me rastin e Banjskës:
“Padyshim që Serbia do ta shfrytëzoj këtë situatë të rëndë dhe do të shikoj mundësi për ta mbështetur Rusinë duke provuar të organizoj aktivitete të dhunshme brenda territorit të Republikës së Kosovës, të ngjajshme siç ishte rasti i sulmit terrorist në Banjskë dhe kështu të defokusoj angazhimet ndërkombëtare sa i përket rrezikut që vije nga Rusia dhe partnerët e saj.”
Ai kërkoi një reagim të shpejtë institucional nga Kosova:
“Kosova në raste të tilla duhet të reagoj shpejtë, duhet të organizohet dhe ta kemi Këshillin e Sigurisë së Kosovës, i cili do të analizonte situatat eventuale për të ndërmarr veprime të cilat lidhin me angazhimet konkrete të Kosovës sa i përket çështjeve operative sa i përket fushës së sigurisë në përgjithësi, dhe koordinimin eventualisht me shtetet anëtare të NATO-s apo edhe me vet NATO-n si garantues i sovranitetit të Republikës së Kosovës, bazuar në rezolutën 1244.”
Në fund, Elezi përsëriti nevojën për vigjilencë dhe koordinim ndërkombëtar:
“Edhe njëherë më lejoni të ritheksoj se është shumë e nevojshme që Kosova të analizoj mirëfillur këtë zhvillim dhe të konsideroj se ekziston rreziku vërtetë të kemi një përshkallëzim të situatës sigurisë, përfshirë këtu edhe vendet e gadishullit ballkanik dhe padyshim që Kosova mbetet njëra nga vendet më të rrezikuara për shkak të qasjes që Serbia ka pasur dhe përshkak të angazhimeve të dëshmuara të Serbisë për t’i shërbyer interesave të Serbisë në aspektin e politikës së saj apo në aspektin që lidhen me kërcënimet që ajo mund t’i bëj në drejtim të Evropës apo të ShBA-ve, vendet ku ShBA-ja ka një investim serioz sa i përket çështjeve të sigurisë”./lajmi.net/