Sulmi në kafiterinë “Panda” në Pejë, Kurti: Serbia mohon gjenocidin në Kosovë, i vrau gjashtë të rinj serb

Sot u bënë 26 vjet që nga sulmi terrorist serb në kafiterinë “Panda“ në Pejë. Në një përvjetor të tillë, sulmin e ka kujtuar edhe kryeministri Albin Kurti Në një postim në Facebook, ai ka thënë se më 14 dhjetor 1998, shërbimet serbe ekzekutuan të gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si…

Lajme

14/12/2024 19:03

Sot u bënë 26 vjet që nga sulmi terrorist serb në kafiterinë “Panda“ në Pejë.

Në një përvjetor të tillë, sulmin e ka kujtuar edhe kryeministri Albin Kurti

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se më 14 dhjetor 1998, shërbimet serbe ekzekutuan të gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore.

“Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin në Kosovë.Pas këtij sulmi, forcat serbe arrestuan më shumë se 150 shqiptarë në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan dhe torturuan në mënyra ҫnjerëzore edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishte 22, ndërsa më i riu 17 vjeç. Gjashtë të rinjtë shqiptarë, në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të pafajshëm”, tha Kurti.

Ndër tjera, ai shtoi se 26 vjet pas, shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serb.

“Serbia mohon gjenocidin në Kosovë, mohon gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë, mohon masakrën në Srebrenicë, edhe masakrën në Reçak. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë janë të domosdoshme”, ka thënë Kurti.