Sulmi në Banjskë, Ramadani: Aktakuza duhet të jetë profesionalisht e përgatitur

Më 24 shtator të këtij viti, bëhen një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë heroi, rreshteri Afrim Bunjaku. Tek pas një viti, Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në këtë sulm, ku i akuzuari kryesor është edhe…

Lajme

11/09/2024 17:11

Më 24 shtator të këtij viti, bëhen një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë heroi, rreshteri Afrim Bunjaku.

Tek pas një viti, Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në këtë sulm, ku i akuzuari kryesor është edhe udhëheqësi i grupit Millan Radoiçiq.

Rreth kësaj aktakuze, krerët e shtetit kanë dhënë komente të ndryshme duke e vlerësuar si veprim të vonshëm nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa, ish-kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani thekson se presioni prokurorisë mund t’i bëhet vetëm nga njerëzit që nuk e kuptojnë se si funksionon sistemi, apo kanë qëllime tjera të cilat nuk i konvenojnë shtetit të Kosovës.

Ramadani, ka thënë se një aktakuzë e tillë duhet të jetë profesionalisht e përgatitur.

“Ka procedurë standarde të hetimit, e cila përcaktohet edhe me ligj dhe në rast të hetimeve që kanë ndodhur për rastin e Banjskës, pra grupin paramilitarë të strukturuar, organizuar e financuar nga vet shteti i Serbisë. Unë besoj që një aktakuzë në këtë rast edhe është e nevojshme, por po ashtu edhe duhet të jetë profesionalisht e përgatitur. Besoj që çfarëdo lloj presioni publik që i është bërë i bëhet apo duhet të bëhet prokurorisë në rastet e hetimeve, mund t’i bëhet vetëm nga njerëz që nuk e kuptojnë sistemin se si funksionon apo mund të kenë qëllime të tjera të cilat nuk i konvenojnë shtetit të Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, Prokuroria nuk e ka rolin e Policisë së Kosovës e as institucioneve tjera hetimore. Ramadani ka shtuar se aktakuza është ngritur, por nuk përfundon vetëm me aktakuzën.