Sulmi ndaj Fehmi Kupinës, Retkoceri: Përgjegjësia bie mbi kryetarin Rama dhe partinë e tij, e kanë degraduar këtë institucion në dhunë e kaos

Asambleisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka reaguar ashpër pas sulmit fizik që iu bë Fehmi Kupinës, pas seancës së Kuvendit të Kryeqytetit. Ai e ka cilësuar këtë akt si turpi më i madh i cili ka ndodhur ndonjëherë në Komunën e Prishtinës, teksa thotë se Kupinës iu bë sulm tinëzar. “Kryesuesi…

Lajme

24/09/2025 13:42

Asambleisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka reaguar ashpër pas sulmit fizik që iu bë Fehmi Kupinës, pas seancës së Kuvendit të Kryeqytetit.

Ai e ka cilësuar këtë akt si turpi më i madh i cili ka ndodhur ndonjëherë në Komunën e Prishtinës, teksa thotë se Kupinës iu bë sulm tinëzar.

“Kryesuesi është figura që garanton funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, ndaj fakti që ai u bë shënjestër dhune brenda këtij institucioni e bën edhe më skandaloze ngjarjen. Kuvendi Komunal është institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve, ku duhet të mbrohen interesat e tyre dhe të zhvillohet debati demokratik e kurrë dhuna”, ka thënë Retkoceri.

Tutje ai ka thënë se përgjegjësia bie mbi kryetarin Përparim Rama dhe partinë e tij, të cilët siç thekson ai e kanë degraduar këtë institucion në dhunë e kaos.

“Përgjegjësia bie mbi kryetarin Përparim Rama dhe partinë e tij, të cilët e kanë degraduar këtë institucion në dhunë e kaos”, ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar në Facebook. /Lajmi.net/