“Sulmi ndaj doktorit nuk lidhet me punën e tij” – Flet avokati i gjinekologut që u sulmua me shufër metalike mbrëmë në Prishtinë
Gjinekologu i njohur kosovar, Afrim Veliu është sulmuar mbrëmë në lagjen “Ulpiana” ku ai ka edhe klinikën e tij private në të cilën është i angazhuar. Veliu i cili është i angazhuar me punë edhe në QKUK u sulmua fizikisht teksa sipas dëshmitarëve ishte mbuluar me gjak si shkak i goditjeve të marra. Lajmi.net sot…

Lajme
Gjinekologu i njohur kosovar, Afrim Veliu është sulmuar mbrëmë në lagjen “Ulpiana” ku ai ka edhe klinikën e tij private në të cilën është i angazhuar.
Veliu i cili është i angazhuar me punë edhe në QKUK u sulmua fizikisht teksa sipas dëshmitarëve ishte mbuluar me gjak si shkak i goditjeve të marra.
Lajmi.net sot gjatë ditës ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nga ku u tha se janë duke hetuar rastin në bashkëpunim me Policinë.
“Ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka iniciuar rastin ”Lëndim i lehtë trupor” bazuar nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me çështjen në fjalë”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Prokuroria.
Lidhur me rastin për lajmi.net është deklaruar edhe avokati i Veliut, Veton Rrecaj ku tha se sulmi fizik ndaj gjinekologut kosovar nuk lidhet me punën e tij dhe tha se policia po e heton rastin.
“Është fakt i pa kontestueshëm që klienti im Dr. Afrim Veliu mbrëmjen e djeshme është sulmuar fizikisht nga një person, por fatmirësisht nuk ka arritur klientit tim ti shkaktojë lëndime të rënda, trupore, -pasi mqë doktori është vetëmbrojte me efikasitet. Po ashtu deklarojmë se nuk qëndrojnë spekulimet se sulmi ndërlidhet me punën e klientit tim si Gjinekolog; – Policia është duke e Hetuar rastin, – ndërsa ne kemi besim të plote se ky rast do te zbulohet”, tha Rrecaj për Lajmi.net.
Për detaje të rastit, lajmi.net ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës gjatë ditës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se Veliu është goditur me mjet metalik në kokë dhe se rasti ka ndodhur rreth orës 21:30.
Gjithashtu sipas policisë i dyshuari pas sulmit ka arritur që të largohet nga vendi i ngjarjes.
“Mbrëmë rreth orës 21:30, është raportuar për një sulm fizik, të ndodhur në rrugën “Henry Dunant” në lagjen Ulpiana të Prishtinës. Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur. Viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor””, ka thënë Borovci.
Kurse sot ka folur në lidhje për rastin edhe vet Veliu. I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, gjinekologu i njohur tha se është mirë dhe se sulmi nuk ndërlidhet me punën e tij dhe se nuk ka dyshim për ndonjë person apo për ndonjë çështje.
“Nuk i di motivet, për besë. Po më duket e rastësishme më shumë. Mirë jam shumë, super”, tha Veliu./Lajmi.net/