Sulmi i Kurtit për mediat, Musliu-Shoshi: Gjuhë e papranueshme dhe e dëmshme për klimën demokratike në vend

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për mediat. Ajo ka thënë se kjo është një përpjekje e rrezikshme për të delegjitimuar fjalën e lirë dhe për të frikësuar zërat kritikë në vend. “Kur Kryeministri flet për “thasë parash”, për “argatë të brendshëm” dhe për…

Lajme

02/04/2026 15:11

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për mediat.

Ajo ka thënë se kjo është një përpjekje e rrezikshme për të delegjitimuar fjalën e lirë dhe për të frikësuar zërat kritikë në vend.

“Kur Kryeministri flet për “thasë parash”, për “argatë të brendshëm” dhe për “ndikime të fshehta”, pa ofruar asnjë fakt konkret dhe pa ndjekur rrugë institucionale, ai nuk po mbron demokracinë por ai po ndërton një narrativë të rrezikshme kundër mediave. Kjo nuk është transparencë. Ky është presion politik i maskuar si shqetësim etik”, ka shkruar ajo.

Deputetja Musliu-Shoshi ka thënë se në një demokraci funksionale, akuzat për financime të paligjshme nuk bëhen nga podiumet politike për konsum publik, por adresohen në institucionet e drejtësisë. Sipas saj, çdo tjetër qasje është përpjekje për të diskredituar median dhe për të kontrolluar perceptimin publik.

“Si Kryetare e Komisionit për Media, e konsideroj këtë gjuhë të papranueshme dhe potencialisht të dëmshme për klimën demokratike në vend. Mediat nuk mund të vendosen nën hijen e dyshimeve të përgjithësuara, sepse kjo krijon një ambient frike dhe autocensure. Po, transparenca është e domosdoshme. Po, pavarësia duhet të mbrohet. Por ajo nuk mbrohet duke hedhur akuza të paargumentuara ndaj të gjithëve. Ajo mbrohet duke forcuar institucionet, duke respektuar lirinë editoriale dhe duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar narrativën publike”, ka shtuar Musliu-Shoshi.

Ajo ka thënë se demokracia nuk mbrohet duke sulmuar mediat, por mbrohet duke i lënë ato të lira dhe kur janë kritike ndaj pushtetit. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: