Sulme ajrore amerikane kundër Shtetit Islamik në Somali
Presidenti Donald Trump tha të shtunën se kishte dhënë urdhër për sulme ajrore kundër drejtuesve të lartë të Shtetit Islamik në Somali. Një nga objektivat e sulmit, tha udhëheqësi amerikanë, ishte një zyrtar i lartë që harton sulmet e organizatës terroriste si dhe drejtues të tjerë. “Këta vrasës, të cilët i zbuluam tek fshihen nëpër…
Bota
Presidenti Donald Trump tha të shtunën se kishte dhënë urdhër për sulme ajrore kundër drejtuesve të lartë të Shtetit Islamik në Somali. Një nga objektivat e sulmit, tha udhëheqësi amerikanë, ishte një zyrtar i lartë që harton sulmet e organizatës terroriste si dhe drejtues të tjerë.
“Këta vrasës, të cilët i zbuluam tek fshihen nëpër shpella, kërcënuan Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tano”, shkroi Presidenti Trump në rrjetin ‘Truth Social’. “Sulmet i shkatërruan shpellat ku jetonin ata dhe vranë shumë nga terroristët, pa dëmtuar popullsinë civile”.
Sulmet e së shtunës kishin si objektiv malet Golis, tha Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili shtoi se vlerësimet fillestare tregojnë për eliminimin e shumë operativëve terroristë. Ai tha se nuk pati dëmtime mes popullsisë civile.
Shefi i ri i Pentagonit tha se sulmet dëmtojnë aftësitë e organizatës së vetëquajtur Shteti Islamik “për të organizuar dhe ndërmarrë sulme terroriste” që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara, partnerët e saj dhe popullsinë civile.
“Është një mesazh i qartë se Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë në gatishmëri për të zbuluar dhe eliminuar terroristët që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, madje edhe kur ne po zhvillojmë operacione të fuqishme për mbrojtjen kufitare dhe operacione të tjera nën udhëheqjen e Presidentit Trump”, tha ai përmes një deklarate.
Gjatë administratave të ndryshme, si demokrate ashtu edhe republikane, ushtria amerikane ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj grupeve terroriste në Somali.
Vitin e kaluar, një sulm amerikan i koordinuar me Somalinë eliminoi tre militantë të grupit Shteti Islamik, sipas ushtrisë amerikane./VOA