Sulm me thikë në qendër të Ferizajt, plagosen dy persona – i dyshuari në arrati
Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një sulmi me thikë që ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Ferizaj. Ngjarja është regjistruar rreth orës 07:50 në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, pranë Postës Qendrore, ku, sipas policisë, dyshohet se dy persona janë sulmuar me mjet të mprehtë. Pas dhënies së ndihmës së parë…
Lajme
Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një sulmi me thikë që ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Ferizaj.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 07:50 në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, pranë Postës Qendrore, ku, sipas policisë, dyshohet se dy persona janë sulmuar me mjet të mprehtë.
Pas dhënies së ndihmës së parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore, të lënduarit janë transportuar në Emergjencën e Ferizajt për trajtim të mëtejshëm.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, për lajmi.net ka bërë të ditur se i dyshuari është larguar menjëherë pas incidentit dhe policia është në kërkim të tij.
“I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha Kanun Veseli për lajmi.net.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të panjohura./lajmi.net/