Sulm i ri i Boko Haram në Nigeri, vriten qindra njerëz

Qindra njerëz janë vrarë në pjesën verilindore të Nigerisë, gjatë një sulmi të ri të pjesëtarëve të organizatës terroriste islamike Boko Haram, e cila ka marrë përgjegjësinë edhe për rrëmbimin e 276 vajzave të reja gjatë mesit të muajit prill.

 

Bota

07/05/2014 19:52

Sulmi i ri raportohet se ka ndodhur të hënën në vendin Gambor Ngala, në shtetin federal  Borno të Nigerisë, ku ka baza Boko Haram dhe ku më 14 prill janë rrëmbyer nga një shkollë 276 vajza shumë të reja.

Sipas fjalëve të senatorit lokal, Ahmed Zan, janë vrarë 300 njerëz, kurse dëshmitarët thonë se kanë numëruar mbi 100 persona të vrarë. Sulmuesit kanë djegur tregun, objektin e shërbimit doganor, atë të policisë dhe pothuaj të gjitha shitoret.

Për shkak të rrëmbimit të vajzave të reja në prill, për të cilat Boko Haram ka thënë se do t’i shfrytëzojë për prostitucion, policia e Nigerisë sot ka ofruar shpërblim prej 300 mijë dollarëve atyre që ndihmojnë më gjetjen e vajzave të rrëmbyera, ndërsa ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius ka deklaruar se në Nigeri për këtë qëllim vendi i tij i ka lënë në dispozicion Nigerisë një ekip të ekspertëve.

Presidenti amerikan, Barack Obama, duke komentuar rrëmbimin e vajzave, ka shfaqur shpresën që pas kësaj ngjarje të tmerrshme bashkësia ndërkombëtare do të veprojë kundër kësaj organizate kriminale e terroriste.

Boko Haram në gjuhën lokale do të thotë \”arsimimi perëndimor është mëkat\”, kurse grupi që mban këtë emër ka organizuar gjatë viteve të fundit një sërë sulmesh, në të cilat janë vrarë rreth 1,500 njerëz.