Suedia njeh zyrtarisht shtetin palestinez

Suedia e ka njohur të enjten edhe zyrtarisht Palestinën, duke u bërë kështu vendi i parë anëtar i Bashkimit Evropian që e merr vendimin për njohjen e shtetit palestinez.

Bota

30/10/2014 11:53

Edhe Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, e kanë njohur Palestinën, por ato e kanë bërë një gjë të tillë para se të ishin anëtare të Bashkimit Evropian.

Ministrja e jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom, e ka shpallur njohjen zyrtare duke thënë se ky vendim i qeverisë suedeze është një hap i rëndësishëm, që konfirmon të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Kryeministri Stefan Lofven, gjatë adresimit të tij inaugurues në parlament, javë më parë, kishte thënë se konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve mund të pushojë vetëm me zgjidhjen e dy shteteve, të negociuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Palestinezët duan krijimin e një shteti të pavarur në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, që kryeqytet do të kishte Jerusalemin Lindor.

Por izraelitet edhe pse refuzojnë të përmendet Jerusalemi, gjatë bisedimeve të deritashme me përfaqësuesit e Bregut Perëndimor kaun lënë të kuptohet se janë që ndarja të arrihet me marrëveshje mes palëve dhe jo nën përdorimin e armëve nga Hamasi, organizatë radikale që kontrollon Gazën.

Izraeli kishte shprehur qëndrim kritik ndaj Suedisë, kur ky vend pat paralajmëruar njohjen e shtetit palestinez, duke thënë se kjo lëvizje do t’i shkatërroj përpjekjet për marrëveshje të paqes në Lindjen e Mesme.

Më 13 tetor, Parlamenti i Britanisë, po ashtu, ka votuar në mënyrë simbolike dhe jo obliguese, për njohjen e shtetit palestinez.