S’u përfundua asnjë projekt i premtuar, pak gjilanas mblidhen për Kurtin e Hysenin në projektin 18 milionë euro

Në ceremoninë e mbajtur në Gjilan për nisjen e punimeve të projektit “Bulevardi i Qytetit”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i komunës, Alban Hyseni, u përballën me një pjesëmarrje tejet të vogël nga qytetarët – sipas pamjeve dhe videove të publikuara, në këtë ceremoni nuk ishin as 30 persona të pranishëm. Projekti, i…

Lajme

02/09/2025 10:21

Në ceremoninë e mbajtur në Gjilan për nisjen e punimeve të projektit “Bulevardi i Qytetit”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i komunës, Alban Hyseni, u përballën me një pjesëmarrje tejet të vogël nga qytetarët – sipas pamjeve dhe videove të publikuara, në këtë ceremoni nuk ishin as 30 persona të pranishëm.

Projekti, i cilësuar si investimi më i madh kapital ndonjëherë në këtë komunë, ka një vlerë prej 18 milionë euro dhe parasheh transformimin urban të një pjese të qendrës së Gjilanit, raporton lajmi.net

Bulevardi pritet të ketë një gjatësi prej 450 metrash dhe përfshin ndërtimin e një nënkalimi nga Stacioni i Autobusëve deri te objekti aktual i Komunës, ndërtimin e një parkingu nëntokësor me rreth 500 vendparkime në dy kate, si dhe ngritjen e një objekti të ri pesëkatësh për Administratën Komunale me një sipërfaqe prej 8,600 metra katrorë.

Kontrata e nënshkruar parasheh përfundimin e punimeve brenda një periudhe dyvjeçare.

Megjithatë, mungesa e interesimit të qytetarëve për ceremoninë e nisjes së projektit ka ngritur pikëpyetje rreth besimit në këtë investim, kur premtimet e mëparshme të qeverisjes lokale dhe qendrore nuk kanë arritur të finalizohen./Lajmi.net/