S’u bë kurrë deputet, por VV e rehaton vazhdimisht në pozita shtetërore anëtarin e partisë- Kush është drejtori i ri i ATK-së?
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni. Në njoftimin e ministrisë thuhet “se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u…

Lajme
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni.
Në njoftimin e ministrisë thuhet “se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë”.
Por kush është Mentor Hyseni, apo njohur ndryshe si njeriu i Vetëvendosjes?
Mentor Hyseni ka qenë ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, i cili para disa viteve ishte emëruar në pozitën e anëtarit të Bordit të AKP-së, dhe më pas ishte ngritur në detyrë me vendim qeveritar, duke u emëruar në krye të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Por jo vetëm kaq.
Mentur Hyseni ka qenë edhe kandidat i Vetëvendosjes për deputet në zgjedhjet e vitit 2019, por s’kishte arritur që të mbledhë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.
Kryeministri tani në detyrë Albin Kurti, para pesë viteve kishte emëruar Hysenin në krye të Bordit të Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”.
Se qeveria ka bërë emërime politike e ka pranuar edhe Rozeta Hajdari, ministrja e Ekonomisë.
“Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV”.
Ndryshe Mentor Hyseni është i lindur më 28 gusht 1980 në Viti. Përfundoi studimet bazike në fushën e Financave në Fakultetin Ekonomik të Universitarit të Prishtinës.
Për 12 vite ka punuar në pozita të larta menaxheriale nëpër institucione publike në Kosovë, si: Ministria e Drejtësisë, Korporata Energjetike e Kosovës, KEDS Energy si dhe është ligjërues në Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës – ShKÇAK.
Për katër vjet ka qenë i angazhuar si ekspert i financave publike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke ofruar eksperiencën e tij të gjatë për të përmirësuar llogaridhënien dhe qeverisjen qendrore.
Po ashtu Hyseni ligjëroi edhe lëndën e Financave dhe Kontabilitetit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.
Nga Vetëvendosje ndër vite u thirrën për ndalje të dhënies së pozitave për njerëzit e partisë, por në fakt këto raste veç u shtuan.
Siç duket nga VV-ja kanë vendosur që t’i shpërblejnë vazhdimisht anëtarët e partisë, duke u dhënë madje pozitat më të larta në ndërmarrje e institucione./Lajmi.net/