Stuhia shkakton dëme edhe në Lipjan: Dëmtohet shkolla në Gadime, salla sportive, shtigjet e ecjeve dhe rrëzohen disa drunj

Komuna e Lipjanit përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që kanë përfshirë territorin e kësaj komune kanë shkaktuar dëme në disa zona. Ata kanë thënë se janë evidentuar dëme në sektorin e bujqësisë dhe në infrastrukturën publike, përfshirë shkollën në Gadime, Sallën Sportive dhe shtigjet…

Lajme

21/07/2026 22:23

Komuna e Lipjanit përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që kanë përfshirë territorin e kësaj komune kanë shkaktuar dëme në disa zona.

Ata kanë thënë se janë evidentuar dëme në sektorin e bujqësisë dhe në infrastrukturën publike, përfshirë shkollën në Gadime, Sallën Sportive dhe shtigjet e ecjes, ku në disa segmente është regjistruar rrëzimi i drunjve, duke paraqitur rrezik për kalimtarët.

Sipas këtij njoftimi, në disa lokalitete janë dëmtuar dhe rrëzuar shtylla elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

“Ekipet e shërbimeve publike në bashkëpunim me strukturat emergjente dhe institucionet përkatëse, kanë dalë menjëherë në terren dhe po punojnë në vlerësimin e situatës, sanimin e dëmeve dhe largimin e pengesave, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe rikthimin e gjendjes në normalitet. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat e prekura dhe të shmangin qëndrimin pranë objekteve, pemëve dhe shtyllave të dëmtuara, të cilat mund të paraqesin rrezik për sigurinë e tyre”, thuhet në njoftim.

Ata i kanë rekomanduar qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar edhe gjatë ditëve në vijim, pasi sipas parashikimeve meteorologjike priten reshje intensive dhe erëra të fuqishme. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: