Studimi: Vaksina e gripit dhe e Covid mund të merret në të njëjtën kohë
Efektet anësore më të zakonshme përfshinin dhimbjen në vendin e injektimit, lodhje të përkohshme, dhimbje koke ose dhimbje muskujsh.
Lajme
Në provat klinike mbi vaksinat e përbashkëta kundër gripit, Pfizer dhe AstraZeneca raportuan efekte anësore të lehta deri në të moderuara, shkruan The Guardian.
Vaksinat e gripit janë të sigurta për t’u dhënë në të njëjtën kohë me vaksinat Pfizer ose AstraZeneca kundër Covid-19, sipas studimit klinik që heton bashkë-administrimin e injeksioneve, transmeton lajmi.net.
Megjithëse disa njerëz përjetuan më shumë efekte anësore me kombinimin e vaksinës së gripit dhe asaj kundër Covid-19, simptomat ishin kryesisht të lehta deri në të moderuara, zbuloi studimi. Efektet anësore më të zakonshme përfshinin dhimbjen në vendin e injektimit, lodhje të përkohshme, dhimbje koke ose dhimbje muskujsh.
Testet e gjakut tek vullnetarët treguan se nuk kishte asnjë ndikim negativ në përgjigjet imunitare ndaj vaksinave të gripit ose Covid-19 kur injektimet bëheshin njëri pas tjetrit. Sidoqoftë, një nga vaksinat kundër gripit, me emrin FluBlok, e krijuar nga firma Sanofi, fuqizohej më tepër kur jepej së bashku me vaksinën Pfizer.
Dr. Rajeka Lazarus, shkencëtarja kryesore në studim dhe një konsulente në sëmundjet infektive dhe mikrobiologji në Universitetin Bristol dhe Weston NHS Foundation Trust, tha se rezultatet, të cilat janë paraprake dhe ende nuk janë rishikuar nga kolegët, ishin “një hap vërtet pozitiv”.
“Me dozat përforcuese, nuk presim që të ketë një ndikim në faktin se sa mirë funksionon vaksina Covid-19,” tha ajo. Ajo i bëri këto komente mes shqetësimeve se sezoni i ardhshëm i gripit mund të jetë më i keq se vitet e fundit sepse imuniteti i njerëzve ndaj gripit do të jetë dobësuar.
Studimi, i cili u zhvillua në 12 vende në Angli dhe Uells, vëzhgoi efektet anësore dhe përgjigjet imune në 679 njerëz kur ata morën dozën e dytë të vaksinës Pfizer ose AstraZeneca në njërin krah, dhe më pas një nga tre vaksinat e gripit në krahun tjetër.
Vullnetarët u ndanë në dy grupmosha, nën 65 vjeç dhe mbi 65 vjeç. Në takimin e parë, ata morën ose një vaksinë kundër Covid-19 dhe një kundër gripit, ose një vaksinë kundër Covid-19 dhe një ilaç placebo.
Grupi më i moshuar u injektua me vaksinën FluAd të krijuar nga Seqirus në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa grupi më i ri u vaksinua me Flublok, nga kompania Sanofi ose Flucelvax, nga Seqirus.
Tre deri në katër javë më vonë, pjesëmarrësit u kthyen dhe morën dozat e dyta. Dy deri në tre javë më pas, vullnetarët u kthyen përsëri për të diskutuar mbi efektet anësore dhe për të siguruar një mostër gjaku.
Rreth tre të katërtat e vullnetarëve raportuan të paktën një efekt anësor sistemik, si lodhje, pavarësisht nëse e kishin bërë vaksinën Covid-19 vetëm ose në kombinim me një vaksinë gripi. Ndër raportimet e rralla të reagimeve të rënda, ishte rasti i një personi që u shtrua në spital me migrenë.
Kur u pyetën në fund të studimit, 97% e vullnetarëve thanë se do të ishin të gatshëm të merrnin dy vaksina në të njëjtën kohë në të ardhmen.
Dr Lazarus tha se është e zakonshme të marrësh më shumë se një vaksinë në të njëjtën kohë, veçanërisht në fëmijëri dhe për udhëtime jashtë vendit./Lajmi.net/