Studim: Ajri i kondicionuar ndikon në transmetimin e koronavirusit

Hapja e dritareve në ndërtesa, përfshirë shtëpitë tona, mund të parandalojë përhapjen e koronavirusit, besojnë shkencëtarët

Lifestyle

15/04/2020 23:50

Ekspertët e shëndetësisë, mjedisit të ndërtuar dhe mikrobiologjisë në Universitetin e Oregonit dhe Universitetin e Kalifornisë, i bënë rekomandimet duke shqyrtuar studimet ekzistuese mbi mikrobet, përfshirë SARS-CoV-2 (virusi që shkakton sëmundjen COVID-19).

Ata gjithashtu panë të dhëna për anëtarët e tjerë të familjes së madhe të koronavirusit që shkaktojnë sindromën e rëndë të frymëmarrjes akute (SARS) dhe Sindromën e frymëmarrjes të Lindjes së Mesme (MERS). Ata publikuan gjetjet e tyre në revistën mSystems.

Ekipi shpreson që rekomandimet e tyre do t’i ndihmojnë ata që kanë detyrë të vendosin se kur dhe si të lehtësojnë masat për distancimin shoqëror, ndërsa pandemia vazhdon.

Sipas ekipit, shumica e njerëzve kalojnë më shumë se 90 përqind të jetës së tyre të përditshme në mjedisin e ndërtuar, duke i dhënë viruseve një varg mënyrash për të infektuar njerëzit: nga ndërveprime të ngushta me individë të tjerë, deri tek prekja e sipërfaqeve dhe frymëmarrja në ajër të kontaminuar.

Mënyra e ventilimit të një ndërtese dhe shtigjet e udhëtimit ajror në një hapësirë mund të ndikojnë se cilat mikrobe janë të pranishëm aty, shpjeguan autorët.

“Për shumicën e ndërtesave, mënyra më e lehtë për të furnizuar ajrin është hapja e një dritareje”, shkruajtën ata. Por studiuesit paralajmëruan që temperatura në natyrë duhet të merret në konsideratë për të shmangur ekspozimin e njerëzve në ekstremitete, dhe për të parandaluar përhapjen e viruseve midis vendbanimeve, shkruan Newsweek.

Hulumtimet e kaluara gjithashtu tregojnë se drita është e dobishme për kontrollimin e përhapjes së disa sëmundjeve infektive.

Studimet e mikrokozmosit, ku një mjedis i kontrolluar është krijuar për të imituar një ekosistem si shtëpinë ose zyrën, sugjerojnë që drita e ditës ndikon në bashkësitë e baktereve të pranishme në një hapësirë.

Drita e dukshme dhe rrezet UV të diellit mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë e mikrobeve, me një studim mbi virusin e gripit, të cituar nga ekipi, i cili tregon se rrezet e diellit të simuluara shkurtojnë rezistencën e tij, nga rreth 31 minuta në errësirë, në dy minuta në dritë.

Njerëzit duhet të përpiqen të hapin griplat dhe dritaret për të lejuar “dritë të bollshme të ditës dhe diellin”, sugjeruan shkencëtarët.

Lagështia e një ndërtese, tha ekipi, gjithashtu mund të ndikojë në përhapjen e infeksioneve si COVID-19. Të dhënat e kufizuara të disponueshme në SARS-CoV-2 tregojnë se virusi është aktiv më gjatë në sipërfaqet plastike me një lagështi relative prej 40 përqind, me një rezistencë mesatare prej 15,9 orë, dhe më të shkurtër në formën aerosol me një rezistencë mesatare prej 2.74 orësh me një lagështi relative prej 65 përqind.

Kjo mbështetet nga provat që sugjerojnë se viruset, përfshirë koronaviruset, luftojnë për të mbijetuar në temperatura tipike shtëpie dhe me një lagështi relative prej mbi 40 përqind. Lagështia në dhomë mund të konsiderohej si një mjet për parandalimin e COVID-19, duke kujtuar se lagështia mbi 80 përqind mund të krijonte problemet e veta shëndetësore, këshilloi ekipi.

Duke marrë parasysh përdorimin e mundshëm të sistemeve të filtrimit të ajrit, autorët zbuluan se shumica e viruseve janë shumë të vogla për t’u kapur dhe asnjë sistem filtri nuk është i përsosur.

Ata që kanë sisteme të dërgimit të ajrit duhet të kujdesen që të mos riciklohen ajri i brendshëm i cili “mund të rrisë potencialin e transmetimit”.

Nxitja e niveleve të rrjedhës së ajrit ndërkohë mund të rrezikojë dërgimin e mikrobeve në ajër nga sipërfaqet dhe “të rrisë potencialin e kontaminimit në të gjithë ndërtesën duke shpërndarë ajrin e brendshëm më shpejt dhe me vëllime më të larta, duke përtërirë potencialisht më shumë grimca ultrafine në ajër”.

Shkencëtarët ripanë gjithashtu studimet mbi mënyrën e përhapjes së SARS-CoV-2, duke theksuar se në kohën kur studimi i tyre u dorëzua në mes të marsit, nuk kishte pasur raste të dokumentuara të një personi që ishte prekur nga COVID-19 nga një sipërfaqe, vetëm përmes pikave.