​Studentët protestojnë kundër numrit të stomatologëve dhe favorizimit të kolegjeve private

Me pankarta në duar dhe me mbishkrimin “Universiteti në rrezik, favorizimi i hapur i kolegjeve private”, Lëvizja Studentore për Barazi “Studim-Kritikë-Veprim”, organizoi një aksion proteste para Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Ata protestuan kundër rritjës së numrit të stomatologëve në vend dhe ndikimin e kolegjeve private. Sejdi Karaça, përfaqësues i kësaj lëvizjeje studentore, tha se…

Lajme

16/03/2026 14:50

Me pankarta në duar dhe me mbishkrimin “Universiteti në rrezik, favorizimi i hapur i kolegjeve private”, Lëvizja Studentore për Barazi “Studim-Kritikë-Veprim”, organizoi një aksion proteste para Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Ata protestuan kundër rritjës së numrit të stomatologëve në vend dhe ndikimin e kolegjeve private.

Sejdi Karaça, përfaqësues i kësaj lëvizjeje studentore, tha se ky reagim vjen si pasojë e një dukurie shqetësuese dhe gjithnjë e më të përhapur në disa kolegje private, e cila lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të studimeve në drejtimin e Stomatologjisë.

“Numri i studentëve të pranuar çdo vit është gjithashtu në shpërputhje me kapacitetet e institucionit dhe me nevojat reale të sistemit shëndetësor të vendit. Në anën tjetër, fatkeqësisht jemi dëshmitarë të një realiteti krejtësisht tjetër në disa kolegje private, ku drejtimi i Stomatologjisë ofrohet në kushte që sipas shumë dëshmive dhe përvojave të studentëve nuk i përmbushin standardet minimale akademike dhe profesionale. Në këto institucione shpesh mungojnë kriteret e arta për pranim të studentëve, ndërsa procesi i vlerësimit akademik nuk është gjithmonë i bazuar në standarde të barabarta dhe transparente”, tha ai.

Ai thotë se një nga problemet më shqetësuese lidhet edhe me punën praktike, e cila është thelbësore për një stomatolog.

Sipas përfaqësuesit të lëvizjes, ka raste kur studentët në këto institucione janë të detyruar të sigurojnë vetë pacientët për të realizuar praktiken, ndërsa në disa raste raportohet se studentë të caktuar nuk arrijnë të realizojnë fare praktiken.“Kjo situatë paraqet jo vetëm një problem akademik, por edhe një rrezik potencial për cilësinë e shërbimeve shëndetësore në të ardhmen. Për më tepër, jemi dëshmitarë të praktikave të transferimeve pa kritere të qarta nga drejtime të tjera brenda të njëjtave institucione, duke rritur artificialisht numrin e studentëve në drejtimin e Stomatologjisë. Ky fenomen po e rëndon edhe më shumë situatën, duke krijuar një mbingarkesë të tregut me profesionistë që në shumë raste nuk kanë kaluar të njëjtin proces rigoroz të formimit profesional”, u shpreh Karaça.

Karaça shton se si pasojë e këtyre zhvillimeve, numri i stomatologëve në Kosovë është rritur në mënyrë të ndjeshme.

“Në disa analiza dhe vlerësime, vendi ynë konsiderohet ndër vendet me numrin më të lartë të stomatologëve për kokë banori, jo vetëm në rajon dhe Ballkan, por edhe në krahasim me shumë vende të Evropës. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vend janë të regjistruar rreth 2,400 stomatologë, çka për një popullsi prej rreth 1.8 milion banorësh nënkupton një raport afërsisht 1 stomatolog për çdo 700-750 banorë, një ndër raportet më të larta në rajon”, tha ai.

KosovaPress ka kontaktuar edhe me Odën e Stomatologëve të Kosovës për të marrë qëndrim lidhur me rritjen e numrit të stomatologëve dhe favorizimin e studentëve nga fakultetet private, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk është marrë ende një përgjigje.