Studentë e sindikalistë demonstrojnë në Serbi
Mijëra serbë më 1 maj shënuan gjashtëmujorin e shembjes së strehës së betonit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, që shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe nxiti një prej lëvizjeve më të mëdha protestuese në Serbi prej shumë kohësh. Saktësisht në orën 11:52 të mëngjesit – kur u shemb streha më 1 nëntor 2024 – demonstruesit qëndruan…

Lajme
Mijëra serbë më 1 maj shënuan gjashtëmujorin e shembjes së strehës së betonit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, që shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe nxiti një prej lëvizjeve më të mëdha protestuese në Serbi prej shumë kohësh.
Saktësisht në orën 11:52 të mëngjesit – kur u shemb streha më 1 nëntor 2024 – demonstruesit qëndruan të heshtur para Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit.
Studentë dhe të tjerë ndezën qirinj dhe vendosën lule në kujtim të viktimave.
Ata që morën pjesë në tubimin solemn më pas iu bashkuan një marshi protestues nëpër qendër të Novi Sadit, deri te Ura e Lirisë në qytet.
Gjatë marshit ndodhi një incident serioz, kur një automjet u përpoq të futej mes turmës së njerëzve.
Sipas raportimeve, ngasësi i automjetit kapërceu forcat policore dhe u nis me shpejtësi drejt një grupi protestuesish.
Vetura u ndal pak para se të përplasej me turmën, ndërsa nuk u raportua për të lënduar.
Policia arrestoi dy individë në lidhje me incidentin.
Mijëra protestues mbushën edhe rrugët e kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, teksa studentë dhe pesë sindikata të mëdha punëtorësh u bënë bashkë në një prej demonstratave më të mëdha të koordinuara në vitet e fundit, duke kërkuar ndryshime në ligjet e punës dhe mbrojtje më të mëdha për punëtorët.
Protestat janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që ka kapluar Serbinë që nga shembja fatale e strehës së Stacionit Hekurudhor në nëntor, dhe mund të jetë sfida më e madhe deri më tani për qeverisjen gjithnjë e më autoritare të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Studentët protestues po demonstrojnë dhe po bllokojnë prej muajsh departamentet e tyre universitare, duke kundërshtuar atë që ata e cilësojnë dështim të sundimit të ligjit dhe korrupsion të gjerë nën udhëheqjen e Vuçiqit, president që nga viti 2017 dhe kryeministër për tre vjet më herët.
Dhjetëra mijëra njerëz dolën nëpër rrugë për të demonstruar në mbi 200 qytete dhe qyteza.
Reagimi publik ka tronditur udhëheqjen e Serbisë. Në janar, kryeministri Millosh Vuçeviq dha dorëheqje mes rritjes së trysnisë, ndonëse asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk është mbajtur përgjegjës për shembjen.
Një aktakuzë ndaj 13 të dyshuarve për dështimet që çuan drejt aksidentit, përfshirë ish-zyrtarë shtetërorë, nuk është konfirmuar ende. /REL