‘Strest testet’ permanente kosovare

Nuk ka temë apo çështje që është trajtuar në këtë politikën kosovare tash e gati pesë vjet, që nuk ka marrë trajtën e një stres testi për këtë vend dhe për këtë shoqëri.

Opinion

19/09/2019 09:34

Stres testet janë të njohura fare mirë për secilin individ që ka pasë probleme shëndetësore që kanë burim zemrën, enët e gjakut, gjendjen e përgjithshme të një organizmi.

Aty pra shihet dhe kuptohet gjendja reale shëndetësore e një individi, çfarë mund të përballojë ai, dhe si mundet të këndellet, të shërohet, dhe të mbijetojë.

Po stres testet janë të ditura për të gjithë ne, edhe në sistemet bankare, që prej krizës së madhe financiare të vitit 2008, që pati goditur tepër rëndë SHBA-në dhe Evropën Perëndimore.

Këto teste ushtrohen dhe bëhen për të marrë vesh se çfarë është ‘sistemi i imunitetit’ në bankat e caktuara, poqëse ato do të ballafaqohen me probleme serioze në funksionimin e tyre.

Sistemi financiar në tërësinë e tij, është si organizmi njerëzor: Nëse diku nisë të çalojë, atëherë mund të ndodhë kolapsi i plotë bankar, me pasoja tepër të rënda për sigurinë dhe stabilitetin e një shoqërie.

Për këtë shkak, si kur bëhet fjalë për një individ, ashtu edhe për një shoqëri, duhet investuar sa më shumë që është e mundur në forcimin e imunitetit të tij, për të qenë në gjendje për tu ballafaquar si duhet me sprovat e shumta të cilat janë të pashmangshme.

Natyrisht, njëra prej punëve apo sjelljeve më të mençura që mund të bëjë një individ dhe një vend a një shoqëri është të jetë i kujdesshëm, apo, të mos i thërret vet telashet e shumta, të cilat ndoshta kanë qenë edhe të evitueshme.

Tash e tre vjet, Britania e Madhe, pas Referendumit të njohur që njihet me emrin e koduar Brexit, ka hyrë në një cikël të një krize të thellë politike, fundi i së cilës ende nuk po shihet.

Brexit po del që është një stres test i rëndë politik, që nuk ka qenë i domosdoshëm, apo i paevitueshëm. Përkundrazi. Përplasjet e mëdha politike që janë zvarritur për vite të tëra në skenën britanike, bënë që të tërhiqeshin disa poteza politik të pamenduar dhe të paanalizuar mirë, prej dy partive kryesore në Britani, dhe tani, askush në këtë shtet nuk e di se çfarë duhet bërë që disi të rrumbullakësohet ky proces politik.

Disi është mbërritur pak ditë më parë tek vendimi i Parlamentit britanik që nuk mund të ketë zbatim apo jetësim të Brexitit pa Marrëveshje me BE-në, por duket që gjasat që diçka e tillë të ndodhë janë fare të vogëla, së paku nga pikëshikimi i tashëm.

Sidoqoftë, është evidente që ‘imuniteti politik’ i Britanisë së Madhe ka pësuar një rënie të madhe.

Stres teste të ngjashme me këtë të Brexitit në Britaninë e Madhe, në politikën kosovare, jemi të ‘aftë’ të prodhojmë me shumicë dhe pakicë sa herë të na ipet rasti, vetëm e vetëm që të pamundësojmë funksionimin e pushtetit qendror, apo që në mënyrë të vazhdueshme të kërkojmë zgjedhje të reja, që disi të ndryshojë raporti i forcave në këtë politikën kosovare, që gjithnjë e më shumë është e mbërthyer në çorodi të të gjitha llojeve.

Kështu, pa kurfarë nevoje, e bëmë këtë vend dhe qytetarët e saj, pengji të një debati krejtësisht të kotë, dhe vazhdueshëm të rrezikshëm  (i cili realisht ende nuk është përmbyllur), për demarkacionin e kufirit të Kosovë dhe Malit të Zi.

Po ta kryenim si duhet dhe me kohë këtë obligim që kishim marrë në kuadër të kritereve që duhej përmbushur për ta marrë të drejtën për të udhëtuar pa viza në Evropë, tema e Liberalizimit të vizave do të ishte harruar tashmë.

Në të njejtën mënyrë e kemi trajtuar edhe punën e dialogut të Kosovës me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, duke nxjerrë në shesh të gjitha interpretimet e mundshme për këto bisedime, shumica dërrmuese e të të cilave nuk kanë të bëjnë gjë me realitetin.

Në fakt, mbase nuk ka temë apo çështje që është trajtuar në këtë politikën kosovare tash e gati pesë vjet, që nuk ka marrë trajtën e një stres testi për këtë vend dhe për këtë shoqëri, duke dobësuar skajshmërisht imunitetin politik të shtetit të Kosovës dhe duke krijuar rrethanat kur qytetarët e zakonshëm të Kosovës, janë gjithnjë e më të dëshpëruar, gjithnjë e më të mërzitur, gjithnjë e më të gatshëm të largohen prej Atdheut të tyre.

Jemi lodhë nga kjo politikë.  

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)