Strategji e avokatëve për ulje të dënimit po shihet ekzaminim psikiatrik që do i bëhet edhe Naim Murselit

Për disa javë Naim Murseli, që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, do të qëndrojë brenda hapësirave të Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Murseli do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik, pasi që kryetarja e trupit gjykues një ditë më parë miratoi kërkesën e avokates së tij. Por, ekzaminimeve të tilla, deri tash u janë…

Lajme

07/06/2025 21:16

Për disa javë Naim Murseli, që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, do të qëndrojë brenda hapësirave të Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Murseli do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik, pasi që kryetarja e trupit gjykues një ditë më parë miratoi kërkesën e avokates së tij.

Por, ekzaminimeve të tilla, deri tash u janë nënshtruar shumica e të akuzuarve për vrasje. Liron Pepshi, që punon si psikiatër në Gjermani, thotë se kjo do ta zvarrisë procesin dhe është e panevojshme.

“Më ka befasuar që kërkohet një ekzaminim psikiatrik te rasti edhe pse nuk i di detajet por nga ajo që e din publiku është dukur e tepërt edhe në përgjithësi edhe më herët, kam bërë thirrje të mos keqpërdoret psikiatria për shkak se ekzaminimi psikiatrik kërkon një arsye. Është për mua shpenzim i panevojshëm kohe, e panevojshme që humb edhe mund të jetë për familjen e viktimës  zgjatje e gjendjes emocionale”, ka thënë Liron Pepshi – Psikiatër.

Tutje ai thotë se kërkesat për ekspertiza psikiatrike duhet të kenë gjithmonë arsye të qëndrueshme, transmeton rtv dukagjini.

“Përgjegjësia profesionale është gjithmonë individuale, do të thotë edhe kur bëhet kërkesa për një ekspertizë të tillë, duhet të shkruhet edhe arsyeja pse, do të thotë, jo për faktin për krimin që e ka kry, por për faktin se prej çka dyshohet që e ka atë problem që pastaj ajo të diskutohet, për shkak se e tejzgjat procesin gjyqësor, është shpenzim i jashtëzakonshëm, mundet me shkaktu ndjenja negative emocionale tek viktimat”, ka thënë Liron Pepshi – Psikiatër.

Kurse Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se në Kosovë tashmë kjo është kthyer në strategji të avokatëve për ulje të dënimit.

“Në disa raste varësisht prej shkallës, personi me paaftësi mendore nuk janë të përgjegjshëm penalisht, derisa përgjegjësia nuk është e njëjtë me personat që kanë aftësi të zvogëluar, për këtë arsye është e rëndësishme edhe kjo çështje, mirëpo është aspekt që mbrojtja e përdor si strategji në raport me klientët e tyre e që është normale”, ka thënë Gzim Shala – Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike vazhdimisht është ankuar për kërkesa të shtuara për ekzaminime psikiatrike, sidomos në rastet e vrasjeve e të dhunës në familje.