Statusi i Qendrës Emergjente

Nuk mundesh me qenë përkrahës i shtetit të Kosovës, e të jesh kundër Ratifikimit të Marrëveshjes kufitare të Kosovës me Malin e Zi.

Lajme

08/03/2018 10:46

Nuk ka temë a çështje a problem politik, ekonomik, social në Kosovë, që nuk meriton të trajtohet në Kuvendin e Kosovës. Kështu është në gjithë Botën demokratike, kështu është edhe tek ne.

Por, nuk ka çështje a problem politik, ekonomik, social në Kosovë, i cili kur të trajtohet në Kuvendin e Kosovës, përmes mocioneve, interpelancave, debateve parlamentare, adresohet si duhet, dhe për më shumë, kur nis të gjindet zgjidhja për te. Kjo është përvoja parlamentare në vendin tonë, tash e shumë vjet. Dhe vështirë është të pritet që diçka në këtë aspekt do të ndryshojë. Së paku jo në të ardhmen e afërt.

Në radhë të parë, atmosfera mbizotëruese në Kuvendin e Kosovës, është një reflektim, në atë formën edhe më të vrazhdë, të vetë gjendjes në skenën politike të vendit. Në fakt, ne realisht nuk kemi skenë politike në Kosovë. Ne kemi vetëm skenë. Dhe si në çdo skenë, aty ka gjithçka, protagonizëm, aktrim, lojë, ambicje të të gjitha llojeve, shtyrje dhe garë pa kurfarë rregulli, mësymje për sukses me çdo kusht, por aty parime nuk ka.

Edhe përbërja aktuale e këtij Kuvendi, garanton, siç po shihet për çdo ditë e më shumë, që do të ketë vazhdimësi në këtë aspekt. Kuvendi i Kosovës gjithnjë e më shumë po i përngjet një ‘Reality Show’, ku popullariteti i një politikani nuk është më reflektim apo rezultat i një performanse cilësore, të dyzimit të dijes dhe të pragmatizmit, duke pasë si orientimin kryesor të mirën publike dhe interesin shtetëror, por në radhë të parë, ky popullaritet ka si njësi matëse deklarimet plot emocione, nerva dhe pasion, të cilat qëllojnë dhe godasin kundërshtarin politik.

Për këtë shkak, zatën, pyetja kryesore që në masë të madhe, apo, me përjashtime të rralla, deputetët e një entiteti politik ia bëjnë njeri-tjetrit, pas një fjale të mbajtur në Kuvend, nuk është kjo ‘A thash diçka të mençme’, por ‘A ia bëna mirë, a i mëshova boll…’.

Sidoqoftë, nuk ka pasë, dhe me gjasë akoma nuk ka, rast më të mirë për të provuar të kundërtën, apo, për të dëshmuar që njëmend Kuvendi i Kosovës, është zë i qytetarëve të Kosovës, është reflektim i vullnetit të tyre politik (tek e fundit, të gjithë deputetët në parim kanë të drejtë të deklarojnë që janë ‘përfaqësues të popullit’), se sa që është rasti i Ratifikimit të Marrëveshjes për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Këtu, kur më në fund janë krijuar rrethana paksa më pozitive që të plotësohet edhe ky kriter që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në Evropë, nuk ka ardhë, së paku jo deri më tash, aspak në shprehje një logjikë shtetërore, apo, e respektimit të njëkohshëm të interesave strategjik të shtetit dhe atyre jetik të të gjithë qytetarëve, e cila pastaj do të shërbente si një udhërrëfyes për krijimin e konsensusit të madh të deputetëve dhe të partive të tyre për ta votuar këtë Ligj, dhe për të dëshmuar kështu që e dimë se çka është shteti dhe çka është interesi themelor i tij.

Është thënë shumë herë në të kaluarën, e mbase, tash ky mendim është më i qëndrueshëm se kurrë më parë. Ai na thotë që ne si politikë, kemi pasë më shumë ndjeshmëri shtetformuese, atëherë kur ende kemi qenë larg krijimit të shtetit të Kosovës, se sa që kemi tash e sa vite, kur e kemi shtetin e Kosovës.

Nuk ka kurfarë dyshimi më: Nuk mundesh me qenë përkrahës i shtetit të Kosovës, e të jesh kundër Ratifikimit të Marrëveshjes kufitare të Kosovës me Malin e Zi. Këtu nuk ka kompromis, nuk ka rrugë të tretë, nuk ka variant të ri.

Dhe në këtë aspekt, Kuvendi i Kosovës, nuk do të duhej të vepronte ndryshe, pos në përputhje të plotë me vullnetin e qartë të qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të lodhur, të mërzitur, të dëshpëruar, madje, gjithnjë e më të mllefosur me të gjitha lojërat politike  (pa kufi, për një Marrëveshje kufitare), të cilat janë bërë dhe po bëhen tutje në Kuvendin e Kosovës.

Derisa të mos zgjidhjet kjo temë, apo, derisa të mos Ratifikohet Ligji për Marrëveshjen kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, objektivisht, politika kosovare i përngjet një pacienti që është dërguar urgjentisht në Qendrën emergjente të QKUK-së.