Starmer mirëpret marrëveshjen SHBA-Iran: Moment i rëndësishëm për paqen dhe ekonominë globale

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka vlerësuar lartë  marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke e cilësuar si një zhvillim të rëndësishëm për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe për ekonominë globale. Duke folur para gazetarëve, ai tha se kjo është e jashtëzakonshme ndërsa i ka përgëzuar shtetet të cilat…

Bota

15/06/2026 10:57

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka vlerësuar lartë  marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke e cilësuar si një zhvillim të rëndësishëm për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe për ekonominë globale.

Duke folur para gazetarëve, ai tha se kjo është e jashtëzakonshme ndërsa i ka përgëzuar shtetet të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë marrëveshje, raporton BBC

“Para se të flas për mediat sociale, dua të përshëndes përparimin e arritur mbrëmë mes SHBA-së dhe Iranit. E përgëzoj Presidentin Trump, ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari, si dhe të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë proces”, deklaroi kryeministri britanik.

Sipas Starmerit, marrëveshja përfaqëson një moment me rëndësi të veçantë, pasi ulja e tensioneve ka qenë një nga kërkesat kryesore të aleatëve perëndimorë gjatë muajve të fundit.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ne kemi bërë thirrje prej kohësh për uljen e tensioneve dhe është jetike që të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të siguruar stabilitet në rajon dhe për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, u shpreh ai.

Ai theksoi se rikthimi i stabilitetit në këtë zonë strategjike do të ketë ndikim pozitiv jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për ekonominë ndërkombëtare në përgjithësi.

Sipas Starmer, garantimi i lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit do të ndihmojë në uljen e presioneve ekonomike që po ndihen nga qytetarët britanikë dhe konsumatorët në mbarë botën.