Sprova e madhe e buxhetit

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që Ligjit i Buxhetit të jetë në rend ditës për seancën e radhës. LDK dhe Vetëvendosje kanë deklaruar votën kundër. AAK thotë se ka një disponim jo të mirë për të.

Lajme

18/11/2013 13:13

Ligji i Buxhetit për vitin 2014 pritet ta sprovojë koalicionin qeveritar, i cili është përballur me mungesë të kuorumit në seancat e fundit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që Ligjit i Buxhetit të jetë në rend ditës për seancën e radhës, që do të mbahet të enjten.

Miratimi ose mosmiratimi në parim i këtij buxheti do të mund të merrej edhe si një lloj votëbesimi për koalicionin qeveritar, të cilit së fundi i janë larguar disa deputetë, duke e bërë të brishtë të ardhmen e tij.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë se koalicioni do t’i ketë numrat e duhur në Kuvend për ta miratuar buxhetin.

“Nuk diskutohet. Numrat i kemi në Parlament dhe buxheti do të miratohet. Do të bindeni edhe ju”.

Grabovci e ka vlerësuar si të arritur buxhetin e vitit që vjen.

“Brenda mundësive tona e kemi rritur këtë buxhet dhe besoj se do t’i përmbush të gjitha premtimet që janë dhënë gjatë fushatës. Si edhe më herët, PDK’ja dhe Kryeministri Thaçi sa herë që ka premtuar diçka u kanë qëndruar prapa atyre premtimeve. Të gjitha ato janë shndërruar në vepra dhe sot janë realitet”.

“Edhe këto premtime që janë dhënë, jam i sigurt dhe i bindur se do të shndërrohen në realitet”.

“Ky buxhet është vetëm njëvjeçar, por qeverisja e PDK’së do të zgjasë edhe katër vjet të tjera dhe do të krijojë mundësi që të gjitha premtimet e dhëna të bëhen realitet”.

Por, dy nga tri partitë opozitare qysh tash e kanë deklaruar votën kundër këtij buxheti.

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron buxhetin e vitit 2014 si jozhvillimor, ndërsa ndarjen e tij –  të padrejtë.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri, thotë se do të votojnë kundër tij.

“Ne do të votojmë kundër buxhetit”.

“Është logjika e njëjtë e krijimit të një buxheti jozhvillimor, që absolutisht nuk dallon nga buxhetet e viteve të kaluara. Është e njëjta logjikë, e njëjta ndarje e padrejtë”.

“Po ashtu, ju e dini se ky buxhet nuk i parasheh ato premtimet e mëdha që janë dhënë gjatë fushatës. Nuk parasheh as atë rritje që është thënë publikisht. Dihet se ajo ka qenë për konsum ditor dhe elektoral”.

“Ky buxhet nuk i parasheh as ato 500- 600 milionë euro që janë premtuar për ato katër komuna gjatë fushatës”.

Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu është deklaruar kundër Ligjit për Buxhetin e vitit 2014.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Visar Ymeri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është kundër këtij buxheti për arsye të njëjta siç ka qenë edhe kundër buxheteve të viteve tjera.

“Është e njëjta logjikë e buxhetimit, është e njëjta logjikë e shpenzimit të parave të Kosovës në projekte që më shumë i konvenojnë Ministrave dhe Qeverisë në përgjithësi, sesa që janë në interes të përgjithshëm të Kosovës”.

“Ky buxhet është veçanërisht i dëmshëm për shkak të ndarjes së parasë publike në dysh, të themelimit apo vazhdimit të funksionimit të buxhetit për Asociacionin e Komunave që figuron edhe në këtë buxhet të komunave për vitit 2014, ashtu siç ishte futur për herë të parë në rishikimin e buxhetit për vitin 2013”.

“Pra, të gjitha ato probleme që i kanë bartur buxhetet e kësaj Qeverie vazhdojnë të jenë në buxhetin e vitit 2014 . Disa prej tyre madje edhe të stërtheksuara”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do vota e saj do të jetë në mbështetje të këtij buxheti, për cilin thotë se ka shumë probleme.

Ardian Gjini, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK’së, i ka shprehur dilemat e partisë së tij.

“Duhet të sqarojmë diçka që po mbetet gjithmonë si çështje e mjegullt para publikut. Votohet dy herë buxheti, sikur votohen dy herë ligjet tjera”.

“Deri tani kemi shumë dilema për këtë buxhet, i cili ka shumë probleme”.

“Disponimi është të mos votohet. Sidoqoftë, të mërkurën do të marrim vendim se a do ta mbështesim në parim me kushtëzime për ndryshime deri në leximin e dytë”.