Spitali që korruptoi dy shtete

Pak metra larg Qendrës Klinike Universitare të Kosovës shumë shpejt do të fillojë punën Spitali Amerikan, ndonëse ligji e ndalon këtë afërsi fizike në mes institucioneve private shëndetësore dhe atyre publike, shkruan sot Koha Ditore.

Lajme

20/09/2014 09:21

Spitali Amerikan ka blerë “shërbimin” nga biznesmeni Ekrem Lluka, pasi që Qendra Kardiake e Kosovës në të cilën do të vendoset Spitali Amerikan është pronë e tij.

Në të njëjtën mënyrë, Spitali Amerikan ka hapur spital në afërsi të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Edhe atje procesi është përcjellë me pakënaqësi të shumta dhe akuza për parregullsi.

Prona e Spitalit Amerikan në Prishtinë, është e blerë e shitur disa herë nga biznesmeni pejan. Maratona e ndërtimit të këtij spitali është përcjellë me disa vendime të qeverisë të cilat e ndalonin ndërtimin e një spitali privat brenda hapësirës se QKUK-së.

Një vendim i vitit 2007 i kryeministrit të atëhershëm, Agim Çeku kishte ndaluar ndërtimin. Vendimi që asnjë spital privat nuk do të ndërtohej në “oborr” të QKUK-së u përkrahë edhe nga Qeveria Thaçi, me vendimin 15-24 të datës 12 qershor 2008. Por kryeministri Hashim Thaçi në ndërkohë i kishte rënë pishman.

Ai ka nxjerrë një vendim tjetër i cili shfuqizon vendimin e tij të mëparshëm dhe vendimin e kryeministrit Çeku. (Koha Ditore)