Spiropali sqaronë vendimin e SHBA-së: Lëvizja e shqiptarëve vazhdon pa pengesa
Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka sqaruar vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për pezullimin e përpunimit të vizave të imigracionit për 75 vende, përfshirë Shqipërinë. Sipas Spiropalit, ky vendim nuk ndalon udhëtimin e qytetarëve shqiptarë në SHBA dhe nuk prek vizat për qëllime turistike, studentore, biznesi, vizita familjare apo për evente të…
Lajme
Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka sqaruar vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për pezullimin e përpunimit të vizave të imigracionit për 75 vende, përfshirë Shqipërinë.
Sipas Spiropalit, ky vendim nuk ndalon udhëtimin e qytetarëve shqiptarë në SHBA dhe nuk prek vizat për qëllime turistike, studentore, biznesi, vizita familjare apo për evente të punës. Ajo ka theksuar se ndryshimi lidhet vetëm me politikat e imigracionit dhe rishikimin e përpunimit të vizave të qëndrimit afatgjatë.
“Është e paimagjinueshme që disa në Tiranë përpiqen të paraqesin Shqipërinë si vend të ‘zezë’ për SHBA-të. Këto janë trillime politike. Realiteti është se vendimi amerikan nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve tanë,” ka thënë Spiropali.
Ministrja ka akuzuar opozitën se po përpiqet të nxijë imazhin e vendit, duke theksuar se Shqipëria respektohet dhe çmohet ndërkombëtarisht dhe qëndrimi i saj ndaj SHBA-së mbetet strategjik dhe aleat.
Vendimi i DASH për rishikimin e vizave për imigrantët është pjesë e masave për të kufizuar abuzimet me avantazhet e sistemit amerikan të migracionit dhe nuk ka për qëllim të targetojë Shqipërinë apo qytetarët e saj.
“Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleat dhe partner strategjik i SHBA-ve, vend mik me të cilin na lidh një rrugë e gjatë e vlerave dhe interesave të përbashkëta,” ka përfunduar Spiropali. /Lajmi.net/