Spiropali për procesin në Hagë: S’duhet të krijohet hapësirë se po barazohet rezistenca e një populli për liri me politikën e represionin
Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali sot në një konferencë për media ka folur edhe për procesin gjyqësor në Hagë, për çka ka thënë se është një moment i rëndësishëm. Ajo ka thënë se e respektojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por se ajo duhet të jetë e paanshme…
Lajme
Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali sot në një konferencë për media ka folur edhe për procesin gjyqësor në Hagë, për çka ka thënë se është një moment i rëndësishëm.
Ajo ka thënë se e respektojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por se ajo duhet të jetë e paanshme dhe shkëputshme nga çdo lexim kolektiv.
“S’mund të ecë me dy standarde të dyfishta, s’mundet të prodhojë perceptimin që viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral e historik. Lufta e Kosovës s’ishte luftë për pushtet, ishte luftë për mbijetesë dhe liri pas një periudhe të gjatë terrori ndaj popullsisë civile. Çdo proces që lidhet me periudhën e luftës duhet të zhvillohet me vetëdije të plotë për kontekstin, dispropocrionin e forcës dhe realitetin e krimeve ndaj popullsisë civile”, ka shtuar ajo.
Spiropali ka thënë se Shqipëria nuk ndërhyn në proces dhe as s’paragjykon asnjë vendim gjyqësor, por se është obligim të thuhet që drejtësia duhet të jetë e plotë, pa shkelje standartesh ndërkombëtare e të drejtave të njeriut
“Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë vendim gjyqësor, por kemi detyrim moral e historik që drejtësia duhet të jetë e plotë pa shkelje standardesh ndërkombëtare ligjore e të drejtave të njeriut, por jo drejtësie e pjesshme”, ka thënë ajo.
“Asnjë proces gjyqësor s’duhet të krijojë perceptimin se historia po shkruhet në mënyrë të pa balancuar. Asnjë proces s’duhet të krijojë hapësirë për idenë se rezistenca e një populli për liri të vendoset në të njëjtin plan moral me politikën e represionit që e parapriu atë”, ka shtuar Spiropali.