SPERTK iu bën thirrje partive politike: RTK-ja duhet të jetë prioritet i legjislaturës së 10-të
Sindikatë e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) i ka drejtuar një apel të hapur partive politike që synojnë përfaqësim në Legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhim serioz për garantimin e funksionimit dhe zhvillimit të RTK-së. Në reagimin e saj, SPERTK rikujton se Ligji i ri për RTK-në ende nuk është…
Lajme
Sindikatë e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) i ka drejtuar një apel të hapur partive politike që synojnë përfaqësim në Legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhim serioz për garantimin e funksionimit dhe zhvillimit të RTK-së.
Në reagimin e saj, SPERTK rikujton se Ligji i ri për RTK-në ende nuk është miratuar, ndërsa çështjet kyçe si rregullimi i pronës së RTK-së dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm mbeten të pazgjidhura, transmeton lajmi.net.
Sindikata thekson se forma aktuale e financimit, ku 0.7% e buxhetit nacional i ndahet RTK-së, duhet të vazhdojë deri në miratimin e një ligji të ri.
SPERTK gjithashtu kërkon që punëtorët e RTK-së të përfitojnë pagesën e 13-të, një e drejtë që po paralajmërohet për të gjithë sektorin publik, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta.
Sindikata bën thirrje që legjislatura e ardhshme të:
-
vendosë RTK-në si prioritet institucional,
-
miratojë një ligj funksional për RTK-në,
-
rrisë buxhetin e transmetuesit publik,
-
mundësojë rritjen e pagave për punëtorët e RTK-së,
-
dhe të aplikojë pagesën e 13-të sipas praktikave të paralajmëruara për sektorin publik.
SPERTK njofton se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, do të vazhdojë me aksione sindikale ligjore për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe interesin publik.
Sindikata thekson se Radiotelevizioni i Kosovës është pasuri publike dhe zëri i qytetarëve, ndërsa përgjegjësia për funksionimin e tij mbetet në duart e institucioneve të Kosovës./lajmi.net/