Spektakël dritash në Singapor

Një instalacion gjigant dritash bën gjithmonë efekt, po 30 të tilla?

Bota

26/01/2019 18:06

Rezultati i magjisë që krijohet në ajër është i garantuar dhe këtë e treguan qartë organizatorët e Festivalit të Dritave në Singapor me idenë e tyre për të ndriçuar të gjithë qendrën e qytetit-shtet.

Projekti përfshinte shpërthimin e një vërshimi drite nga urat, fenerët e ndriçuar që rrinin pezull në ajër duke kënaqur sytë e kalimtarëve, bovat me drita shumëngjyrëshe në ujë, instalacionet me neone të vendosura nëpër rrugë, apo dhe ideja e jashtëzakonshme për t’i kthyer edhe vetë njerëzit e thjeshtë në protagonistë të spektaklit të asaj që duket si një “lyerje muresh” me drita, transmeton top channel.

Ky është viti i shtatë i organizimit të festivalit i cili e kthen Singaporin në tokën e dritave. Por, edicioni i këtij viti është zgjatur pak më shumë se normalja në mënyrë që të përkojë me kremtimet që shënojnë 200-vjetorin e themelimit të Singaporit modern nga Sir Stamford Raffles. Këtë radhë, ai do të zgjasë nga 28 janari deri në 24 shkurt.