Specialja vendos të bëhen publike pjesët e seancës ku Thaçi kishte ngritur shqetësimet për prokurorin që më parë ishte staf i Njësisë së Paraburgimit
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim që disa pjesë të klasifikuara si konfdencale në transkriptit të seancës së 27 marsit 2025 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selmit dhe Jakup Krasniqit, të bëhen publike. Bëhet fjalë për pjesët e transkriptit në të cilat Hashim Thaçi kishte reaguar për…

Lajme
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim që disa pjesë të klasifikuara si konfdencale në transkriptit të seancës së 27 marsit 2025 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selmit dhe Jakup Krasniqit, të bëhen publike.
Bëhet fjalë për pjesët e transkriptit në të cilat Hashim Thaçi kishte reaguar për praninë e një prokurori të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në atë seancë ishte paraqitur John Devaney si pjesë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili kishte punuar në Njësinë e Menaxhimit të Paraburgimit.
Po atë ditë, mbrojtja e Kadri Veselit kishe kërkuar përmes e-mailit që transkriptet e asaj seance ku Thaçi i kishte dhënë vërejtjet e tij lidhur me Devaney, të riklasifikohen si publike. Ndërsa, Prokuroria kishte kundërshtuar duke thënë se ekziston një proces në fuqi për riklasifikimin e transkripteve.
“Më 4 prill 2025, Mbrojtja e Veselit iu përgjigj emalit të ZPS-së duke mos u pajtuar me kërkesën e ZPS-së dhe duke ritheksuar se nuk ka asnjë arsye që vërejtjet e z. Thaçit të mbeten konfidenciale”, thuhet në dokumentin e Gjykatës.
Më vonë, më 24 qershor 2025, trupi gjykues e kishte njoftuar mbrojtjen e Veselit që nëse dëshirojnë mund t’i bëjnë parashtresat për riklasifikim të transkripeve të seancave në fjalë. Kështu, më 1 korrik, ekipet e mbrojtjes e kishin paraqitur këtë kërkesë.
Mbrojtja kishte parashtruar se çështjet e diskutuara në seancën e 27 marsit 2025 nuk janë të natyrës konfidenciale dhe nuk lidhen me çështje që janë subjekt i masave mbrojtëse të urdhëruara nga DhSK-ja. Si rrjedhojë, ajo kërkoi që ato të riklasfikohen si publike për t’u siguruar që procedurat të jenë të hapura ndaj kontrollit publik që e drejta për gjykim të drejtë dhe publik të respektohet.
Ndërsa, Prokuroria kishte thënë se ajo pjesë e seancës e cila është private përbën diskutime dhe detaje personale, private dhe profesionale, si dhe akuza të pabazuara kundër stafit dhe informacione të brendshme të administratores. Andaj, Prokuroria parashtroi se ajo pjesë e seancës duhet të vazhdojë të jetë konfidenciale.
Në linjë me Prokurorinë, kishte parashtruar edhe Zyra Administrative e cila kishte theksuar se aty janë thënë çështje që kanë të bëjnë edhe me funksionimin operacional të objektit të paraburgimit, të cilat janë jo të përshtatshme për publikun.
Ndërsa, në kundërpërgjigjen e saj, mbrojtja ishte pajtuar për disa redaktime të kufizuara kurse pjesa tjetër duhet të bëhet publike.
Më pas, trupi gjykues ka vlerësuar se redaktimet e fragmenteve të transkriptit që lidhen me çështje të brendshme dhe të ndjeshme të sigurisë dhe operimit të Qendrës së Paraburgimit, duke përfshirë edhe ato që rekomandon administratorja janë të nevojshme për ta ruajtur informacionin e brendshëm.
Ndërsa, lidhur me pjesët e tjera, trupi gjykues ka thënë se aty nuk diskutohet ndonjë informacion konfidencial apo çështje që është subjekt i masave mbrojtëse të urdhëruara nga DhSK-ja.
Trupi gjykues ka vlerësuar se meqë emri i Devaney është paraqitur në publik si prokuror dhe se ky status si dhe emri i tij tashmë janë publik, vlerësohet se çdo çështje e lidhur me atë duhet të jetë publike për të siguruar që procedurat të jenë të hapura ndaj kontrollit publik dhe e drejta për një gjykim transparent duhet të respektohet.
Si rrjedhojë, u urdhërua që diskutimi për prokurorin në fjalë të bëhet publik ndërsa pjesa tjetër e seancës të mbetet private pasi ka informacione konfidenciale duke përfshirë edhe pjesë nga dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur.
“Në dritën e sa më sipër, Trupi Gjykues është i bindur se pjesa tjetër e transkriptit të 27 marsit 2025 do të mbetet konfidenciale për të mbrojtur identitetin e Dëshmitarit”, thuhet në vendimin i cili e pranoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.